Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se vendimi për shtyrjen e implementimit të vendimit të reciprocitetit të targave dhe atë të dokumenteve, me Serbinë, nuk do të thotë zbrapsje.
Ai ka theksuar se zhvillimet e së dielës së 31 korrikut në Veri të Mitrovicës ishin tentim për destabilizim, nga ana e Serbisë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se nuk do të ketë zbrapsje të vendimit të reciprocitetit.
Ai ka thënë se ashtu siç Serbia e trajton Kosovën, edhe Kosova do ta trajtojë atë.
“Një gjë është shumë e sigurt që nuk do të ketë zbrapsje të vendimit, është vendim i përfunduar. Kjo është shumë e qartë, e kanë pranuar edhe ambasadori amerikan edhe të diplomatët e tjerë që u deklaruan në lidhje me zhvillimet e djeshme. Se sa do të ushtrohet presion ndaj Vuçiqit do të shikohet, Kurti asnjëherë nuk i ka refuzuar takimet, ai ka qenë i gatshëm gjithmonë që të shkojë në takime”, ka thënë Dugolli.
I ftuar në RTV Dukagjini, Dugolli ka theksuar se zhvillimet e së dielës së 31 korrikut në Veri të Mitrovicës ishin tentim për destabilizim, nga ana e Serbisë.
“Ishte një tentim për destabilizim, ajo që pamë ishte një reflektim i një përballje i shtetit tonë me hegjomoninë serbe me struktura paralele kriminale që sponzorizohen e direktohen nga Beogradi. Nga takimet ne Beograd dhe Rashkë ishin të përgatitura këto aksione, bllokimi i rrugëve dhe të shtënat me armë zjarri, dhe përgjegjës për këtë ishin Vuçiq dhe Petkoviq”, shtoi ai.
Ai beson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e implementimit të vendimit për masën e reciprocitetit për targa dhe atë për dokumente ishte i duhur.
“Besoj që Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin e duhur, meritor sepse nuk kemi qenë kurrë të interesuar që ta destabilizojmë Kosovën, një pjesë të vendit tonë, prandaj edhe vendimi i djeshëm i qeverisë që deri sa të largohen barrikadat do të zbatohet vendimi por në momentin që do të largohen barrikadat nga rruga do të ketë zotim që do ta shtyn implementimin e këtij vendimi deri më 1 shtator”, është shprehur Dugolli.
Kur pyetet se si do të arrihet që të bindet Serbia që për një muaj të ndryshojë mendim lidhur me këtë çështje, Dugolli beson se Bashkimi Evropian do ta gjejë rrugën e duhur.
“BE-ja si lehtësues i dialogut dhe si garantues i marrëveshjeve të nënshkruara do ta gjejë rrugën si ta bindë Serbinë që ta pranojë këtë masë për shkak se është e pashmangshme”.
Deputeti i partisë në pushtet, Dugolli, ka kërkuar që të ushtrohet më shumë presion ndaj Serbisë, sepse kjo e fundit është ajo që po vë bllokada.
“Kosova është bashkëpunuese, nuk është penguese, nuk është bllokuese dhe ne kërkojmë që presioni të ushtrohet ndaj Serbisë sepse është ajo që po vë bllokada”.