Ky është momenti fill pas aksidentit tragjik ku humbi jetën një vajzë 5-vjeçare, pasi u përplas nga gomonia që shikoni në foto.
Ish-shefi i komisariatit të Himarës, Arjan Tase, i cili drejtonte gomonen, shfaqet mbi mjetin lundrues në bregun e detit së bashku me një grua, ndërsa një burrë qëndron pranë tyre në tokë.
Pushuesit shpërthejnë në ulërima dhe të shara ndaj tij.
Në një moment Tase dëgjohet duke i thënë një burri “O Tani, jam unë qetësohu, o Tani jam unë, nuk doja.”
Më tutje në breg është çadra e familjarëve të viktimës që shihen duke bërtitur.
Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditen e sotme në plazhin e Potamit, 2 gusht.
Vogëlushja me origjinë nga Tropoja por me banim në Angli, ndodhej me familjen me pushime.
Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.