Policia ka arrestuar dy të dyshuar të agjencisë së fluturimeve “Prishtina Jet” për mashtrim të mërgimtarëve.
Në njoftimin e policisë thuhet se të njëjtit me aktvendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
“Dukuria e mashtrimit të bashkatdhetarët nga ‘kompani të udhëtimit’, ka vazhduar edhe këtë vit në këtë kohë kur ardhjet e bashkatdhetarëve janë më të shumta. Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, së bashku me hetuesit e Krimeve Kibernetike, dje më 04.08.2022, kanë arrestuar dy të dyshuar pronar të agjencisë ,,Prishtina Jet” , meshkuj kosovarë, shtetas të Kosovës, të cilët dyshohet ta kenë kryer veprën penale ‘mashtrim’ me bileta të udhëtimit. Këta dy të dyshuar, pas arrestimit dhe intervistimit, me aktvendim nga prokurori janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Policia ka ftuar ata që kanë rënë pre e mashtrimeve me bileta avioni që t’i paraqesin rastet.
“Ftojmë të gjithë ata që kanë rënë pre e mashtrimeve më bileta aeroplani të lëshuara nga kompania “Prishtina Jet”, të paraqitën në polici në mënyrë që secili rast të trajtohen nga ana e policisë dhe që të sigurohen prova shtesë për ketë rast. Palët mund të paraqitën te hetuesit në Njësit Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të PK-së, në: Prishtinë, Mitrovice- jug, Mitrovice Veri, Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan”, thuhet tutje në njoftimin e policisë së Kosovës.