Ish-ambasadori i Malit të Zi për situatën në veri: Kosova të koordinojë veprimet me aleatët perëndimorë

Ish-ambasadori i Malit të Zi për situatën në veri: Kosova të koordinojë veprimet me aleatët perëndimorë

Ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, duke komentuar situatën e së dielës së kaluar në veri të vendit, deklaroi se Kosova duhet të koordinojë të gjitha veprimet e saj me aleatët perëndimorë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi kështu do të pamundësonte që forcat serbo-ruse të krijojnë trazira në veri të vendit.

Në një intervistë për The Geopost, Dinosha tha se koordinimi me aleatët do të ishte garanci që situata të mos dalë jashtë kontrollit.

“Unë natyrisht nuk i jap vetes të drejtë, nuk mund t’i jap vetes të drejtë t’i mësoj vendimmarrësit në Kosovë se si të sillen karshi situatave të tilla, por jam i bindur se koordinimi i mirë i hapave me miqtë perëndimorë, sidomos me amerikanët në këtë rast, koordinimi i hapave të qeverisë me ta, do të krijonte situatë e cila nuk do të dilte jashtë kontrollit. Po nuk ekzistoi ky koordinim, kihet frikë se forcat serbe e pro ruse mund të tentojnë të krijojnë tollovi në veri”, deklaroi Dinosha.

Ish-ambasadori e këshilloi Qeverinë e Kosovës që të mos nxitohet për disa çështje që nuk janë vitale për interesat shtetërore.

“Nuk besoj se do të kenë shanse të hapin ndonjë pikë konflikti të re, për arsye se situata në Ukrainë nuk i mundëson elementit ruso-serb të prekë edhe gjetiu, pra në këtë rast në Ballkanin Perëndimor, konkretisht në Kosovë. Si njeri i cili i përcjell ngjarjet në Kosovë, natyrisht, do të doja që Kosova të mos ngutej me disa projekte që nuk janë vitale për interesat e saj shtetërore, karshi situatave konkrete që i ka, siç është tash situata me vendosjen e masave të reciprocitetit, sidomos jo pa garancinë e qartë të miqve ndërkombëtarë se kjo rrugë duhet të vazhdohet dhe se kjo rrugë s’do të ketë pasoja për demokracinë në Kosovë”, vijoi Dinosha.

Në këtë intervistë Dinosha ka folur për ndikimin rus në Ballkan, me theks të veçantë në Mal të Zi. Po ashtu, edhe për ngjarjet e fundit politike në Malin e Zi, përfshirë Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Related Articles