Një vajzë katërvjeçare në qytetin jugperëndimor, Forchajm, është infektuar me linë e majmunëve, ka thënë Instituti Robert Koch në Gjermani.
Kjo është hera e parë që Gjermania identifikon këtë virus te fëmijët.
Vajza, e cila jeton në shtëpi me dy të rritur – po ashtu të infektuar – aktualisht nuk ka simptoma. Fëmija nuk ka qenë në kontakt me askënd jashtë shtëpisë.
Ky lajm vjen pasi autoritetet shëndetësore në Gjermani kanë identifikuar adoleshentët e parë të infektuar me këtë virus një javë më parë.
Më pak se tre muaj pas raportimit të rasteve të para të infektimit me linë e majmunëve në Gjermani, autoritetet kanë regjistruar 2.916 raste të tilla.
Pothuajse shumica e rasteve janë meshkuj dhe vetëm shtatë gra.
“Sipas njohurive aktuale, kontakti i ngushtë është i nevojshëm për bartje të patogjenit”, ka thënë Instituti Robert Koch.
“Aq sa dimë, shumica e të infektuarve nuk përballen me sëmurje të rëndë”, ka thënë Instituti.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se pak fëmijë janë infektuar me këtë virus në nivel global.
Ditë më parë, përhapja e lisë së majmunëve është shpallur emergjencë shëndetësore globale nga OBSH-ja./REL