Deklaratat e presidentit të Serbisë për sigurinë, Kurti: Unë, kryeministër i shpresës e progresit, Vuçiqi president i frikës e kërcënimit

Deklaratat e presidentit të Serbisë për sigurinë, Kurti: Unë, kryeministër i shpresës e progresit, Vuçiqi president i frikës e kërcënimit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur sot rreth deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për sigurinë në Kosovë.

Kurti në një konferencë për media në Doganën e Kosovës tha se ai është kryeministër i shpresës dhe progresit, ndërsa Vuçiqi është president në Serbi, i frikës e kërcënimit.

“… Në bazë fitores së shkurtit të vitit të kaluar por edhe të qeverisjes sonë të mirë unë jam kryeministër i shpresës dhe progresit, ndërsa në Serbi keni një president të frikës dhe kërcënimit. Kur ata flasin për dhunë e vrasje flasin për vete, flasin për imagjinatën, mendimet e planet e tyre, nuk flasin për Republikën tonë. Për Republikën tonë flasin institucionet e shtetit tonë”, tha Kurti.

Sipas tij, dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore por më 31 korrik u ngritën barrikadat prej njerëzve të cilët i kishin nxitur, planifikuar, e financuar strukturat ilegale.

“Pra kur ata flasin janë duke folur për vete, jo për neve.

Ne jemi për paqe, siguri e stabilitet afatgjatë dhe na duhet me shtetin tonë jo vetëm ta mbrojmë sovranitetin e integritetin por edhe demokracinë, kushtetutshmërinë, sundimin e ligjit e progresin”, tha ai.

“Ka autokrat që janë të shqetësuar me shembullin e Kosovës, ku demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik shkojnë bashkë”, tha më tej Kurti.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se popullata pavarësisht cilit pjesë i takojnë janë falënderuese për luftimin e krimit dhe kontrabandës.

Ai përmendi rastin kur kanë konfiskuar pajisjet për kriptovaluta në veri e për të cilët qytetarët janë falënderuar pasi shkaku i tyre kanë pasur probleme me tensionin e energjisë elektrike. 

Related Articles