Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ndalojnë retorikat nxitëse.
Në thirrjen e tyre thuhet se zyrtarët e lartë të të dyja shteteve do të mbajnë përgjegjësi për çdo përshkallëzim që çon në rritjen e tensioneve dhe potencialisht dhunës në rajon.
“Të gjitha çështjet e hapura do të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE pret që të dy liderët të diskutojnë për këto tema sfiduese në takimin e ardhshëm mes Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që do të mbahet më 18 gusht në Bruksel”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse kërkon një klimë që kontribuon në rivendosjen e besimit, pajtimit dhe marrëdhënieve të mira.
“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja kërkon një klimë që kontribuon në rivendosjen e besimit, pajtimit dhe marrëdhënieve të mira, ku marrëveshjet e kaluara respektohen dhe zbatohen plotësisht”, thuhet tutje në njoftimin e BE-së.