Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka paralajmëruar shpalljen e grevave të përgjithshme në Kosovë.
Në një njoftim të shkurtër për mediat, BSPK ka ftuar këto të fundit në një konferencë që do të mbahet nesër në orën 13:00, ku do të jepen informacione më të hollësishme.
“Ju ftojmë të merrni pjesë në Konferencën për shtyp të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës e cila fillon nesër, më 18 gusht 2022, në orën 13:00 dhe mbahet në Zyrat e BSPK-së. Konferenca për shtyp ndërlidhet me shpalljen e grevës së përgjithshme. Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka dhënë njoftimin se Projektligji për Pagat është proceduar në Qeveri e Kuvend për miratim, mirëpo nuk ka dhënë ndonjë detaj për rritje pagash, një vendim i kahershëm që e presin punëtorët e sektorit publik, veçmas pas rritjes së inflacionit të përgjithshëm në vend.