Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall , pas çdo xhiroje do të shpallin “Yllin e Javës”.
Vlerësimi do të bëhet nga Komisioni treanëtarësh nga Liga e Veteranëve të Futbollit të Kosovës.
Këtë javë komisioni në përbërje: Shyqeri Salihu nga KFV Lipjani, Bujar Asllani nga KFV Ferizaj dhe Zenel Shabani nga KFV Vjosa vendosen unanimisht që ky çmim t’i takojë futbollistit të KF Trepça ’89 FC , Albion Pllana. Kësisoj, për herë të dytë radhazi çmimi ‘Ylli i Javës’ shkon te skuadra mitrovicase, pasi në javën e parë epitetin e më të mirit e fitoi sulmuesi nigerian Christian Mba.
Albion Pllana hyri në lojë si zëvendësues në ndeshjen kundër Llapit në “Zahir Pajaziti” dhe arriti të shënojë dy gola, duke qenë më i merituari që Trepça’89 arkëtoi pikën e dytë në këtë edicion, një vit pas rikthimit në elitë.
Ai shënoi golin e parë në minutën e 74-t me gjuajtje me kokë dhe të dytin në minutën e 80-të nga afërsia pas asistimit nga Mba. Përveç golave të shënuar, Komisioni vlerësoi se Pllana pati paraqitje të mirë gjatë tërë minutave që kishte në dispozicion.
Çmimin “Ylli i Javës” futbollistit të Trepçës’89 ia dorëzoi menaxherja e marketingut në Albi Mall, Fitore Osmani Muhaxhiri.
Pas marrjes së këtij çmimi, Pllana u shpreh i lumtur për vlerësimin si dhe për faktin që golat e tij i dhanë skuadrës së tij një pikë. “Ky shpërblim për mua është shumë domethënës. I falënderoj ata që e vlerësuan paraqitjen time, si dhe shokët e ekipit dhe trajnerët për angazhimin dhe punën që po e bëjmë në çdo ndeshje. Trepçën’89 e shoh sa më lart këtë vit, pasi kemi ekip shumë të mirë dhe të gjithë djemtë luajnë me përkushtim të madh”, ka theksuar Pllana.