Dritat e shumta të xhamive në Mitrovicë nuk do të ndriçojnë të gjitha, të paktën për një kohë. Këshilli i Bashkësisë Islame ka marrë vendim që të kursehet sa më shumë rryma, në kohën kur vendi po përballet me krizë energjetike.
Kryetari lokal i BIK-ut, Enis Rama, tregoi se do të tentohet që dritat të lihen sa më shkurt ndezur.
“Dritat në minare nuk do të lihen gjatë ndezur. Edhe mes namazeve, sikur akshami dhe jacia, dritat do të fiken, përveç kur ka ligjërata apo mësime të caktuara”, shton tutje Rama.
Ky thotë se dëshiron që xhamitë të jenë shembull kursimi për të gjithë, teksa i ka bërë thirrje edhe xhematit të mos e vjedhin energjinë.
“Çdo produkt që shfrytëzohet të paguhet, e assesi të vidhet, sepse vjedhja është e ndaluar”, u shpreh ai.
Krejt këto, sipas imamit tjetër, Ekrem Avdiu, burojnë nga mësimet fetare.
Edhe në lum po të jesh duke marrë abdes, mos harxho shumë ujë. Njësoj vlen edhe për rrymën që duhet ta kursejmë edhe kur ka mungesë, edhe kur ka me bollëk”, shpjegon Avdiu.
Prandaj xhamia e tij në Tavnik është munduar t’i ikë shpenzimeve të mëdha.
“Ngrohjen e kemi me pelet, pra me lëndë djegëse, jo me energji elektrike. Shfrytëzohen vetëm dritat dhe zërimi që nuk ka shumë shpenzime, madje edhe dritat i kemi me efiçiencë”, tregon ai.
Thirrjet dhe veprimi i hoxhallarëve po u pëlqen besimtarëve.
Për kursim të energjisë po bëjnë thirrje vazhdimisht edhe institucionet e shtetit.