Qeveria e Republikës së Kosovës është veshur me ngjyrat e flamurit ukrainas, në ditën e pavarësisë së këtij shteti.
Kryeministri Albin Kurti shpërndau fotografi nga pamja e Qeverisë, duke thënë se Ukraina na ka treguar vlerën e lirisë së rrënjosur në demokraci.
Kurti po ashtu njoftoi se sot iu është zgjatur leja e qëndrimit gazetarëve ukrainas që po strehohen në Kosovë.
“Që nga fillimi i luftës së paprovokuar të Rusisë, Ukraina na ka treguar vlerën e lirisë së rrënjosur në demokraci. Në solidaritet dhe festë të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, sot ua zgjatëm qëndrimin gazetarëve ukrainas në Kosovë, ngritëm flamurin ukrainas krahas atij të Kosovës, dhe ngjyrosëm ndërtesën e Qeverisë sonë”, ka shkruar Kurti në një postim në Twitter.
Ukraina sot shënoi përvjetorin e 31-të të pavarësisë, përderisa ka hyrë në muajin e shtatë të luftës me Rusinë.