Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova në një artikull dërguar Telegrafit, ka treguar procedurat e Apelit në këtë gjykatë.
Në këtë artikull ajo shpjegon strukturën e DHSK-së që pasqyron sistemin gjyqësor të Kosovës – me një Gjykatë Themelore, një Gjykatë Apeli, një Gjykatë Supreme dhe një Gjykatë Kushtetuese.
Tutje Trendafilova në këtë artikull fokusohet në llojet e rishikimit që mund të kërkohen të kryhen nga Panelet e Gjykatës së Apelit të DHSK-së.
Më poshtë mund ta lexoni artikullin e plotë pa ndërhyrje të kryetares së DHSK-së:
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) u themeluan në vitin 2015, pas ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian, si dhe një amendamenti që iu bë Kushtetutës së Kosovës. Aktualisht në DHSK janë në proces katër çështje gjyqësore që përfshijnë tetë të akuzuar. Një nga çështjet tani po shqyrtohet nga Paneli i Gjykatës së Apelit, në një tjetër sapo ka përfunduar faza e paraqitjes së provave e procesit të gjykimit, çështja e tretë shumë shpejtë do t’i kalohet Trupit Gjykues dhe e katërta është në fazë paraprake.
DHSK-ja ka juridiksion për krimet kundër njerëzimit të cilat janë filluar ose kryer në Kosovë nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000 nga qytetarë të Kosovës ose të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, ose kundër tyre. DHSK-ja gjithashtu ka juridiksion për veprat penale të parashikuara në legjislacionin e Kosovës, kur ato kanë lidhje me procedurat zyrtare dhe zyrtarët e saj.
Ndonëse struktura e DHSK-së pasqyron sistemin gjyqësor të Kosovës – me një Gjykatë Themelore, një Gjykatë Apeli, një Gjykatë Supreme dhe një Gjykatë Kushtetuese – ajo është gjykatë e pavarur që vepron në përputhje me kornizën e saj ligjore. Dhomat e Specializuara kanë për detyrë të zbatojnë mandatin e tyre në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të drejtësisë penale. Në qendër të këtyre standardeve është parimi se gjykatësit duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
Pavarësia dhe paanësia gjyqësore janë pjesë përbërëse e profesionit të gjykatësve dhe garantojnë që drejtësia të jepet në përputhje me parimin e sundimit të ligjit. Para marrjes së detyrës, gjykatësit e DHSK-së bëjnë një betim solemn se do t’i kryejnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme. Ky betim është parim udhërrëfyes kur bëhet fjalë për të gjithë punën tonë në DHSK.
Pavarësia dhe paanësia nuk janë të vetmet garanci që sigurojnë të drejtat e palëve dhe pjesëmarrësve para DHSK-së. Një garanci tjetër e tillë është e drejta e të akuzuarve dhe/ose e Prokurorisë për të apeluar vendimet e një gjykatësi apo të një trupi gjykues para gjykatësve të tjerë të pavarur. Procesi i apelit ofron një nivel shtesë të rishikimit të aktgjykimeve të shpallura nga gjykatat e shkallës më të ulët. Ai krijon mundësinë, në qoftë se është e zbatueshme, për të korrigjuar çdo gabim faktik ose juridik në aktgjykimet e shpallura nga gjykatat e shkallës më të ulët.
Unë këtu do të përqendrohem në llojet e rishikimit që mund të kërkohen të kryhen nga Panelet e Gjykatës së Apelit të DHSK-së.
Palët ose pjesëmarrësit mund të apelojnë para Paneleve të Gjykatës së Apelit dy lloje vendimesh. Në të parin përfshihen aktgjykimet e formës së prerë mbi fajësinë apo pafajësinë, të shpallura nga trupi gjykues. Nëse një i akuzuar shpallet fajtor, ai ose ajo mund ta apelojë aktgjykimin brenda 30 ditësh nga shpallja e tij.
Në maj të këtij viti, Trupi Gjykues II shpalli aktgjykimin e parë të DHSK-së. Trupi Gjykues i shpalli fajtorë z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj për frikësim gjatë procedurës penale dhe për dy vepra të tjera penale, ndërkohë që për veprën penale të hakmarrjes i shpalli të dy të akuzuarit të pafajshëm. Si z. Gucati ashtu dhe z. Haradinaj kanë vendosur ta apelojnë aktgjykimin. Si Kryetare e DHSK-së, unë caktova një panel prej tre gjykatësish në Panelin e Gjykatës së Apelit për të vendosur në lidhje me apelet kundër aktgjykimit, aktualisht në proces shqyrtimi nga ky Panel. Është e rëndësishme të theksohet se, ashtu si në çdo proces apeli, tre gjykatësit e Panelit të Gjykatës së Apelit janë të ndryshëm nga ata të Trupit Gjykues.
Gjatë procesit të apelit, mbrojtësit e z. Gucati dhe z. Haradinaj, sikurse dhe Prokurori i Specializuar, do të kenë mundësinë të paraqesin me shkrim argumentet e tyre ligjore. Paneli i Gjykatës së Apelit gjithashtu mund të vendosë të mbajë seanca. Më pas, Paneli i Gjykatës së Apelit do të zhvillojë kuvendime dhe do të ketë tre opsione për sa i përket vendimit: mund ta lërë në fuqi, ta prapësojë ose ndryshojë tërësisht apo pjesërisht aktgjykimin e Trupit Gjykues.
Në disa raste, aktgjykimi i Panelit të Gjykatës së Apelit mund të apelohet në një gjykatë të një shkalle më të lartë, në Gjykatën Supreme, të përbërë nga tre gjykatës të tjerë. Një apel i tillë i dytë, sidoqoftë, paraqitet në rrethana të kufizuara, kur i akuzuari është dënuar me burgim të përjetshëm ose kur Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzon vendimin e pafajësisë të Trupit Gjykues dhe jep vendim fajësie në vend të tij.
Lloji i dytë i apelit ka të bëjë me mundësinë e Mbrojtjes dhe të Prokurorisë për të apeluar disa nga vendimet e marra nga gjykatësit gjatë procesit gjyqësor. Ky lloj apeli që i paraqitet Panelit të Gjykatës së Apelit njihet si “apel i ndërmjetëm”. Për shembull, vendimi i një gjykatësi për zgjatjen e paraburgimit të një të akuzuari gjatë fazës paraprake mund të apelohet drejtpërdrejt në Panelin e Gjykatës së Apelit.
Vendimet e tjera të Gjykatësit të Procedurës Paraprake ose Trupit Gjykues nuk mund të apelohen drejtpërdrejt, ose “në bazë të së drejtës së vetvetishme”, siç njihet. Në vend të kësaj, pala duhet fillimisht të kërkojë leje nga paneli përkatës dhe, vetëm pasi kjo të jetë dhënë, pala mund të apelojë një çështje në Gjykatën e Apelit. Për shembull, një të akuzuari i duhet të kërkojë leje nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake për të apeluar një vendim në lidhje me pranimin e provave ose aspekte të tjera procedurale. Nëse Gjykatësi i Procedurës Paraprake ose Trupi Gjykues nuk u jep leje palëve për të apeluar një çështje, ato gjithsesi mund ta ngrenë atë në përfundim të gjykimit, si pjesë të apelit të tyre kundër aktgjykimit.
Gjatë viteve 2021 dhe 2022, Panelet e Gjykatës së Apelit kanë nxjerrë afër 65 vendime dhe urdhra në lidhje me apelet e paraqitura nga Mbrojtja ose Prokuroria.
Parimi i rishikimit gjyqësor është i pranishëm në çdo hap të proceseve gjyqësore të DHSK-së. Ai garanton që vendimet e gjykatësve, të marra në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, të mund të rishikohen në mënyrë që palët dhe publiku të jenë të sigurt se po bëhet drejtësi në përputhje standardet ndërkombëtare të mishëruara në kornizën ligjore të DHSK-së.