Në sheshin ‘’Skënderbe’’ në Prishtinë, është vendosur një instalacion që ka për qëllim ngritjen e vetëdijësimit rreth rëndësisë së qasjes fizike dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Këtë e bëri të ditur kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili tha se për këtë ngjarje qe i ftuar nga Rijadi, bashkë me drejtorin e HANDIKOS, Afrim Maliqi dhe të tjerë.
”Sot, me ftesë të mikut tim të mirë Rijadit, bashkë me Drejtorin e HANDIKOS, z. Afrim Maliqi dhe miq të tjerë, ishim në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë, ku është bërë vendosja e një instalacioni i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijësimit rreth rëndësisë së qasjes fizike dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Institucionet publike janë të vendosura para një përgjegjësie tejet të madhe për të siguruar lëvizjen me pavarësinë më të madhe të mundshme për personat me aftësi të kufizuara. E me plot bindje, si Kryetar i Kryeqytetit, them se jemi më se të përkushtuar që të marrim masat e duhura për të arritur një objektiv të tillë.
Me Rijadin veçse jemi dakorduar dhe kemi iniciuar bashkëpunimin për t’u siguruar që të kemi një Kryeqytet sa më lehtë të qasshëm e praktik për të gjithë pa dallim.
Ky instalacion do të jetë i ekspozuar në shesh deri të dielën, andaj ju inkurajoj që ta vizitoni dhe të konsideroni mundësinë për t’u bërë pjesë e ekipit fantastik të Team Rijad”.