Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar sot në një konferencë për media deklaratën e të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se “duhet të harrojmë narrativën se Kosova është Serbi dhe të kalojmë në atë që Kosova dhe Serbia janë në të vërtetë Evropë”, duke thënë se nuk dëshiron të harrojë se “Kosova është pjesë e Republikës së Serbisë”.
“Ne nuk mund të harrojmë, nuk mundem dhe nuk dua të harrojmë se Kosova është pjesë e Republikës së Serbisë, ai përfaqëson politikën amerikane, çfarë prisni nga ai? Këtë po na e thonë që 23 vjet, kjo është politika e tyre, dhe pse po shtiremi si budallenjë se kinse nuk dinë çfarë duan dhe se do të ndryshojnë qëndrimin për çështjen e Kosovës? Do të ndryshojnë qëndrimin për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe dhe kjo është një lëvizje e rëndësishme. Nuk e kam problem të diskutoj për Ballkanin e Hapur. Ai tha se cili është qëndrimi i Amerikës. Ne kemi ofruar gjithçka që mund të ofrojmë. Ne mund të ofrojë atë që është e shkruar. Ne nuk mundemi të ofrojmë targat, sepse askund nuk e thotë këtë. Varet nga ne që t’i përmbahemi marrëveshjes. I vetmi person tek i cili mund të mbështetemi është vetvetja”, tha Vuçiq.
Escobar, tha se të gjitha marrëveshjet e dakorduara më parë do të duhet të zbatohen, duke përfshirë formimin e Asociacionit së Komunave Serbe.
Ai tha se qëllimi i vizitave të tij në Beograd dhe Prishtinë ishte të mbështesë përpjekjet e Bashkimit Evropian për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet e udhëtimit.