Këngëtarja turke Gulsen është arrestuar dhe akuzuar për nxitje të urrejtjes për një shaka që ka bërë me shkollat fetare të vendit, në të cilën ishte i pranishëm edhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan.
Gjatë një koncerti në prill, Gulsen e quajti pervers një maturant të shkollës së mesme fetare. Ajo këmbënguli në dëshminë e saj në prokurori se ishte një “shaka mes kolegëve”.
“Një shaka që kam bërë në ambientin e punës është transmetuar nga njerëz që synojnë të polarizojnë shoqërinë. Më vjen keq që fjalët e mia u përhapën me qëllim të keq nga njerëz që duan të polarizojnë vendin tonë”, shkroi Gulsen në Instagram, duke i kërkuar falje kujtdo që u ofendua nga komentet e saj.
Ylli turk i popit është kritikuar prej kohësh nga qarqet konservatore dhe gazetat pro-qeveritare për shkak të kostumeve të saj skenike, videove muzikore dhe mbështetjes publike për komunitetin LGBT. Gulsen ka ngritur ndonjëherë flamuj LGBT në koncertet e saj.
Kritikët thonë se arrestimi është një përpjekje e presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të konsoliduar mbështetjen përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Sipas tyre arrestimi i Gulsen ishte i paligjshëm dhe joproporcional.
“Arrestimi po përdoret si një mjet ndëshkimi,” tha Bashkimi i Odave të Avokatëve të Turqisë në një deklaratë me shkrim të premten duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Gulsen.