Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është treguar shumë kritik ndaj Qeverisë së Kosovës, pas vendimit që mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë të mos paguhen për ditët e kaluara në grevë.
Kritik është treguar edhe për mos rritjen e pagave për setorin publik dhe reduktimet e gjata të energjisë elektrike.
Reagimi i Haradinajt vjen pasi ministri i Financave, Hekuran Murati, sot në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë pjesërisht për muajin gusht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.
E, Haradinaj përmes një postimi në Facebook, e ka pyetur Kurtin “Ku je tuj dashtë me e çu këtë vend o Albin Kurti?! A je tu e pa që je duke e shkatërru me themel!?”
“Me çfarë të drejte ju ndalë pagat personelit arsimor? Me cilin ligj a me cilën kushtetutë? Kush janë ata sejmenë trima që i kërcënojnë e i shantazhojnë mësuesit!”, ka shkruar Haradinaj.
Më tej ai e ka pyetur kryeministrin “Kush ta ka dhanë atë të drejtë që në pikë të verës me e lanë popullin në terr! Pse e ke pengu ndërtimin e Kosovës së Re? Pse nuk i ke hapë rrugë gazit për energji?”
“Pse po i mbanë paret e popullit në arkën e shtetit e nuk po i rrit rrogat. A ta ka thanë dikush se njerëzit kanë fillu të vuajnë edhe për bukë?”
“Ky vend nuk është pronë e jotja. Ti ke marrë votë me qeverisë vendin e jo me shkatërru atë”.
“Hiq dorë nga kjo mënyrë e qeverisjes sa nuk është bërë vonë. Ktheju popullit, sepse po t’u kthy ai ty, do të përfundosh me turp. Ndalu vet e mos lejo të të ndalin!”, ka shkruar Haradinaj.