Në Mitrovicë të Veriut sërish janë shfaqur afishe kundër riregjistrimit të makinave në targat RKS- Republika e Kosovës.
Në xhamin e përparmë të disa makinave janë parë afishe me mbishkrime “Nuk ka dorëzim, KM-ja mbet”, duke iu referuar targës KM (Mitrovicë e Kosovës) e cila lëshohet nga autoritetet e Serbisë dhe konsiderohet e paligjshme nga Kosova.
Po ashtu, simboli i Kosovës në disa targa të veturave është mbuluar me letra ngjitëse ku shkruan KM.
Më 1 shtator ka nisur afati prej 61-ditësh për riregjistrimin e veturave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia – sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme – që përdoren nga qytetarët serbë në veri të Kosovës.
Kjo është hera e dytë që mesazhe të tilla shfaqen në Mitrovicë të Veriut, pasi për herë të parë ato u shfaqën më 30 korrik të këtij viti. Por, as kësaj radhe, Policia e Kosovës nuk ka bërë ndonjë njoftim për këto afishe.
Ndërkaq, gjatë muajit gusht, në Mitrovicë të Veriut u shfaqën grafite ku shkruante “Brigada e Veriut – Mos u shqetësoni, ne jemi këtu, po presim”.
Atëbotë, Policia në raportin e rregullt 24 orësh e identifikoi rastin e shfaqjes së grafiteve, por nuk ka treguar se cilat janë rezultatet e hetimeve të kryera.
Vlerësohet se në katër komunat në veri (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) qarkullojnë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe, sot u bëri thirrje serbëve që të konvertojnë targat në RKS, duke thënë se kjo do t’iu mundësojë lëvizje të lirë në mbarë territorin e Kosovës.
Sipas Kurtit, 401.945 vetura janë të regjistruara me targat RKS.
“Prej tyre, dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen në targa RKS përbëjnë rreth 2 për qind të tyre”, tha ai.
Vendimet e qershorit të Qeverisë së Kosovës, për targat dhe dokumentet serbe, u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët ngritën barrikada në veri më 31 korrik dhe 1 gusht.
Pas heqjes së barrikadave pasditen e 1 gushtit, Qeveria shtyu zbatimin e vendimeve për 1 shtator. Por, në ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, arritën marrëveshje për dokumentet.
Në bazë të marrëveshjes për dokumentet, nga 1 shtatori qytetarët e Kosovës dhe Serbisë po hyjnë në shtetet e njëra-tjetrës, pa pasur nevojë që të pajisen me dokumente për hyrje/dalje./REL