Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë në emisionin Pressing se në këtë kohë ai nuk është duke punuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti, por për përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë.
Haradinaj ka thënë se po të ishte angazhuar për rrëzimin e Kurtit, ndoshta edhe do të mund të rrëzohej. Sipas tij, Kosovës nuk i bën mirë rrëzimi i qeverisë në këtë kohë.
“Besoni unë s’jam tu punu me rrëzu Kurtin, nëse do të kisha punu edhe e kishim rrëzu tani. Jam t’u i dhanë përparësi të madhe përmbylljes së një agjende të aleatëve tanë të sigurisë. Njëherë për njëherë është mirë me kry marrëveshjen”, ka deklaruar Haradinaj në Pressing.
Sipas Haradinajt, nuk është e udhës të rrëzohet Kurti kur përmbyllja e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ka arritur në agjendën e presidentit amerikan, Joe Biden.
“Nëse është e vërtetë që agjenda e portofolios kanë mbërri të presidenti Biden, nuk është në rregull që sot me rrëzu Kurtin”,ka thënë ai gjatë emisionit.
Haradinaj ka thënë se për veprimet e Kurtit ka shqetësim nga aleatët e sigurisë. Sipas tij, Kurti po demonstrojn disa veprime të çuditshme.
Ai ka insistuar që faktorët politikë të bëhen bashkë për t’ia forcuar pozitën Kosovës në këtë kohë, për t’i ndihmuar edhe SHBA-ve në përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë.
“Të gjithë ata njerëz që dinë diçka, është mirë me u bashkë dhe me ia forcu pozitën dhe me punu së bashku me Amerikën. Nuk e kam për çështje votash, por çështje jetë a vdekje për vendin tem, me ia ndihmu aleatit tonë të sigurisë. Ne duhet me futë në qoshe Serbisë dhe me ia marr njohjen. Besoj që kush i ka dy fije nuk duhet të rrijë indiferent”, ka theksuar ai.