Gratë vazhdojnë të ballafaqohen me një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë kosovare, në lidhje me të drejtën e tyre për të trashëguar pronën familjare. Edhe pse të barabartë para ligjit, si rezultat i mentalitetit tradicional shumë gra ende nuk e trashëgojnë pronën dhe me raste heqin dorë në mënyrë vullnetare nga hisja në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë shkaku i problemeve të trashëgimisë ka ndodhur dje në fshatin Restelicë në Dragash, ku si pasojë e mosmarrëveshjeve mes miqve dhe dhëndrit, ky i fundit ka mbetur i plagosur me thikë.
Gjithçka ka ndodhur pasi dhëndri i familjes Cufta, kërkonte që gruaja e tij të marrë hisja që i takon, mirëpo kjo ishte kundërshtuar ashpër nga vëllai i bashkëshortes.
Si pasojë e kësaj mes tyre ka ndodhur edhe një konfrontim fizik, ku i dyshuari ka therur me thikë dhëndrin e tij, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore për çka u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal në Prizren.
Njësitë policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arrestuar dhe kanë shoqëruar në stacion për intervistim të gjitha palët e përfshira në rast. Po ashtu është konfiskuar edhe thika të cilën dyshohet se 63-vjeçari e përdori për ta therur dhëndrin e tij.
Gjatë intervistimit, para hetuesve policorë ata kanë deklaruar se vazhdimisht kanë pasur telashe lidhur me çështjen në fjalë, pasi që vëllai nuk dëshironte që t’ia japë pronën që i takon motrës së tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 63-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.