Në Hagë ka nisur seanca në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën e saj përmbyllëse.
Prokurori i Specializuar, Jack Smith është duke paraqitur deklaratat e viktimave lidhur me krimet e kryera në Zllash.
Smith tha se viktimat kanë deklaruar se e vetmja gjë që ata duan është të tregojnë historitë e tyre pa frikë.
“Viktimat duhet ta dinë se ky është vendi ku mund të rrëfejnë historitë e tyre pa frikë. Citoj se viktimat kanë deklaruar se ne e duam vendin tonë Kosovën, e vetmja gjë që kërkoj është të themi atë çfarë ka ndodhur pa frikë”, ka thënë Smith.
Prokurori ka potencuar se të burgosurit në Zllash janë rrahur e torturuar çdo ditë.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.
“Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.