Deputetja Doarsa Kica-Xhelili sot do të bëjë daljen e parë publike me strukturat e partisë së saj të re. Kjo do të bëhet në Këshillin e Përgjithshëm të Forumit të Gruas së LDK-së që do të mblidhet pasditen e sotme me moton “Gra të fuqizuara, shtet i fuqishëm”.
Kjo ngjarje është e organizuar në dy sesione, ku në të parin i quajtur “Diskutim mbi fuqizimin e gruas, avancimin e të drejtave të grave, si dhe drejtësia në trajtimin e barabartë të grave”, është i hapur për media dhe fillon në ora 18.00.
Folësit e këtij sesioni janë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu si dhe Doarsa Kica-Xhelili, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ndërsa sesioni i dytë “Zgjedhja e organeve të Forumit të Gruas së LDK-së” fillon në ora 18.45.
Kjo ngjarje do të mbahet në objektin e ish-ASK-së.
Kujtojmë se Doarsa Kica-Xhelili kaloi nga Partia në Guxo në Lidhjen Demokratike të Kosovës ditë më parë dhe prezantimi iu bë nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, përmes një status në Facebook, të cilin aderimin e deputetes e quajti vlerë të shtuar për LDK-në.