Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë sot se nëse Serbia do të investonte 820 milionë euro në vit për komunitetin serb në Kosovë, kjo do të ishte vërtetë një pasuri. Por, ajo tha se askush nuk e di se ku përfundojnë kto para.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke prezantuar raportin për Kosovën para deputetëve të Kuvendit të Serbisë, tha se Serbia çdo vit investon në Kosovë nga 750 deri në 800 milionë euro.
Trajkoviq tha për RTV “KIM” se “asnjë njeri serioz nuk e di se ku përfundojnë kaq shumë para”.
“Askush nuk e ka parë llogarinë përfundimtare, për të treguar se ku gjoja shkojnë ato para. Neve na intereson se ku shkojnë ato para. Nëse do të investoheshin kaq shumë para në komunitetin serb, në infrastrukturën ku jetojnë serbët, kjo do të ishte një pasuri e vërtetë. Kam frikë se hyjnë paratë zyrtarisht, e dalin jozyrtarisht nga Kosova dhe për këtë fajin e kanë strukturat e ngritura nga Lista Serbe dhe Vuçiq”, tha Trajkoviq.
Ish-sekretari shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë së Republikës së Serbisë, Branimir Stojanoviq, thotë se nuk ka një pasqyrë të plotë se si shpenzohen paratë.
“Pjesa më e madhe e atyre parave ndoshta shkon për paga, një pjesë shkon për investime kapitale. Ajo që shqetëson shumë këtu dhe pse njerëzit janë të pakënaqur, është pse pjesa më e madhe e atyre investimeve kapitale shkon në veri të Kosovës dhe një pjesë e vogël përfundon në jug të Ibrit. Sigurisht një pjesë e konsiderueshme e parave shkojnë për Kishën Ortodokse Serbe. Ajo që nuk është mirë është se projektet e mëdha si ndërtimi i banesave po bëhet në veri. Këtë vit janë ndërtuar 19 objekte banimi në veri të Kosovës dhe asnjë në jug të Ibrit”, tha Stojanoviq.
“Në njërin nga fjalimet e tij të mëparshme në Kuvendin e Serbisë, presidenti i Serbisë tha se për ndërtimin e spitalit në Graçanicë janë ndarë gjashtë milionë euro. Edhe pse është paralajmëruar shumë herë në vitet e kaluara, ende nuk ka filluar ndërtimi i atij objekti që do të trajtonte më shumë se 60 mijë qytetarë.
“Për këto histori realisht është folur për një kohë të gjatë. Konkretisht nuk e kemi realizimin e asaj që thuhet. Gjithçka që realizohet janë kryesisht para të marra nga buxheti evropian dhe përkrahja evropiane që vjen përmes institucioneve në Prishtinë. dhe pastaj paraqitet si investim nga shteti, shihet edhe nga ajo që po arrihet në Anamoravë”, thotë Trajkoviq.
Branimir Stojanoviq vlerëson se projektet për të cilat janë dhënë paratë nuk realizohen për arsye politike.