Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se Qeveria e Kosovës nuk është unike, por po e ndan popullin se “kush është me Albin Kurtin e kush është me Rrahman Jasharaj.
Tahiri tha se shumë shtete kanë marrë masa për t’u ballafaquar me krizat, kurse qeveria jonë po prodhon kriza një pas një.
“Gjithandej globit shohim shtete dhe qeveri që kanë marrë masa për t’u ballafaquar me krizat, qeveria jonë është e zënë me shpërfaqjen e pa shembullt të një arrogance, dhe për më keq për prodhimin e krizave një pas një. Sot jemi duke folur për një krizë serioze, e cila lidhet me fëmijët tanë dhe e cila e kërkon një zgjidhje”, u shpreh Tahiri.
“Kjo papërgjegjësi e qeverisë tashmë po e thellon krizën në çdo aspekt, në mirëqenien sociale, në fëmijët që nuk mund të shkojnë në çerdhe, në shkolla dhe mbi të gjitha është duke na e ndarë popullin, se kush është me Albin Kurtin e kush është me Rrahman Jasharaj. Dhe kjo nuk është tema që ne duhet ta kemi… Qëllimi politik është me i përçarë sindikatat të cilat nuk ka mundur me i kap qysh i ka kap bordet”, theksoi ai.
Tahiri tha se sindikatat nuk po bëjnë pazare, por qeveria, sepse është duke ofruar nga 50 euro për punëtorët dhe duke zvarritur miratimin e Ligjit të pagave.