Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar për qëndrimin e saj në Mbretërinë e Bashkuar ku ka marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabetë II.
Ajo postimit të saj ia ka bashkëngjitur edhe fotografitë me mbretin e ri britanik, si dhe me kryeministren e re britanike, Liz Truss.
“Përgjatë këtyre dy ditëve, iu bashkuam anëtarëve të Familjes Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve nga mbarë bota për ta nderuar trashëgiminë historike të Mbretëreshës Elizabeth II”, ka shkruar presidentja Osmani.
“Në homazhet e mbajtura në Westminster Hall, si dhe në Librin e Zisë të hapur në Lancaster House, kujtuam dedikimin e palëkundur ndaj popullit, urtësinë dhe bujarinë e Mbretëreshës, të cilat do të vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat e ardhshëm”.
Osmani tha se e ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar gjatë pritjes së mbrëmshme nga Mbreti Charles III.
“Në pritjen e organizuar mbrëmë nga Mbreti Charles III në Buckingham Palace, si dhe në pritjen e organizuar sot nga Sekretari i Jashtëm James Cleverly, shprehëm mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilin jemi të përkushtuar ta forcojmë tutje gjatë viteve në vijim”.
“Ndërsa sot, në Funeralin Shtetëror në Westminster Abbey, i dhamë lamtumirën e fundit Mbretëreshës, duke i nderuar virtytet dhe veprën e saj për të cilat do të kujtohet përherë. Pusho në paqe Mbretëreshë!”