Lidhur me vdekjen e aktivistit politik Astrit Dehari në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot ka pezulluar nga puna, Burim Buleshkaj, ish Ushtrues Detyre i Drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht Udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren.
Sipas njoftimit, ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.
Në njoftim bëhet e ditur se Komisioni Disiplinor i SHKK-së, ka vlerësuar se ushtrimi i detyrës në funksionet që dy zyrtarët e sipërpërmendur mbajnë aktualisht, pengon hetimin dhe ushtrimin e përshtatshëm të detyravë që kanë.
“Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i detyrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës. Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës vendosë pezullimin e nëpunësve civil, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë”, thuhet në fund.