Pak më parë u raportua për incidentin në të cilin u përfshi njëri nga pronarët e klubit të natës ‘Zone’ dhe disa lokaleve tjera të gastronomisë në vend. Dekorim Sahiti është përballur me kërcënime serioze nga një person i cili dyshohet se e ndoqi dhe e kërcënoi me kallashnikov, pas një zënke në komunikacion.
Sinjali mëson se personi që u arrestua nën dyshimet për kanosje ndaj Sahitit, është Bashkim Gashi, 30-vjeçar.
Gashi dyshohet se ditë më parë i është vënë mbrapa me veturën e tij duke e ndjekur deri në parkingun e ‘Hib Petrol’ në Çagllavicë, ku edhe e kishte nxjerrë armën e llojit kallashnikov dhe e kishte kërcënuar Sahitin. Ky i fundit u detyrua që rastin ta denoncojë në organet e rendit.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës, kanë kryer bastisje në shtëpinë e të Gashit, mirëpo nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.
Si pasojë e përsëritjes së veprës, i dyshuari dje është ftuar sërish për intervistim, ku me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.