Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Vlora Dumoshi, ka folur për takimin e djeshëm të Komisionit për Arsim dhe Kulturë, ku ajo është anëtare.
“Së pari dua të lidhem me fjalimin e kryetarit të Komisionit për Arsim dhe Kulturë, Ardian Gola, i cili thotë që kemi tregu maturi si mazhorancë në takimin dje me SBASHK-un. Mua si anëtare e Komisionit më ka ardhë turp se si ka shku ai takim dhe mazhoranca ka qenë qaq agresive ndaj atyre njerëzve, për keqardhje, sidomos edhe krejt televizionet e kanë pa se çfarë ka ndodh me deputetin dhe kryetarin e SBASHK-ut”, tha Dumoshi.
“Si është e mundur që kriza të jetë specialiteti më i pëlqyer i kësaj Qeverie? A e dini çfarë kosto është për fëmijët humbja e orëve mësimore, a e dini çfarë kosto është për prindërit dhe familjet tona humbja e vendeve të punës?”, pyeti ajo.
“Mjaftë me polarizim, mjaftë me arrogancë, mjaftë me hasmëri, mjaftë më”, tha Dumoshi.
Ajo i bën thirrje Qeverisë që të ulet me grevistët dhe të gjejë zgjidhje.