Murati: Këshilli Grevist në vazhdimësi po ndryshon kërkesat, Ymeri: Murati nuk po dëshiron marrëveshje

Murati: Këshilli Grevist në vazhdimësi po ndryshon kërkesat, Ymeri: Murati nuk po dëshiron marrëveshje

Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se nuk mund të arrihet marrëveshje për përfundimin e grevës në arsim, pasi që, sipas tij, kërkesat e Këshillit Grevist vazhdimisht po ndryshojnë.

E sindikalisti Ymer Ymeri deklaroi se ministri nuk ka gatishmëri për t’u arritur marrëveshja, pasi po i keqinterpreton kërkesat.

“Lexoi mirë ministër kërkesat…se nuk po i interpreton drejtë se nuk po do të arrish marrëveshje”, tha Ymeri.

Anëtari i komisionit, Jahja Kokaj, tha se kjo grevë është tërmet. “Unë kam ardhur të zgjidhet ky problem e fëmijët të kthehen menjëherë në klasë”, tha Kokaj, duke shtuar se lista e kërkesave vetëm po vazhdon.

“Miratimi i ligjit merr muaj, por tash e duhet të fëmijët me muaj të presin?”, pyeti deputeti Kokaj.

“Tregoni se cila është kërkesa juaj e saktë që fëmijët të kthehen sot pasdite në klasë?”, tha anëtari i Komisionit për Arsim.

“Ju lutem shumë, cila është ajo kërkesë?”.

Murati, deklaroi se buxheti dhe kapaciteti është ky, sepse janë disa kategori që është dashur të mbështeten.

“Dhe nëse ka kërkesë të një kategorie për më shumim, duhet me marrë nga një kategori tjetër”, tha ai.

Edhe anëtarja tjetër e komisionit, Vlora Dumoshi, kërkoi që të gjendet zgjidhje e të dilet nga kjo situatë e që sot të arrihet një marrëveshje.

“Nuk jemi në hasmëri me qytetarët, në jemi një”, tha Dumoshi. “Ministër, bisedo me kryeministrin e të gjithë, me përulësinë më të madhe po të them”

E anëtarja tjetër, deputetja Eliza Hoxha, tha se takime të tilla i kupton si platformë për përafrim qëndrimesh.

“Nëse dëshirojmë zgjidhje, gjithmonë ka. Madje në këtë mandat qeveritar jeni vlerësuar se sa shumë buxhet keni e qeveria është lavdëruar se sa shumë ka kursyer”, tha Hoxha.

Deputetja Hoxha tha se kërkesat mund të realizohen vetëm me pak zemërgjerësi.

“As për shtet as për grevistët nuk është mirë të vazhdojë greva. Edhe këta kanë arsye por edhe Qeveria është bllokuar”.

Related Articles