Nany Hauck, në moshën 56-vjeçare, do të përjetojë diçka vërtet unike – ajo do të lindë mbesën e saj!
Nensi, nga Utah, do të shërbejë nënë zëvendësuese apo si njihet ndryshe nënë surrogate, për djalin e saj 32-vjeçar, Jeff, dhe gruan e tij, Cambria, 30 vjeç, shkruan People.com, përcjell kalnkosova.tv..
Jeff dhe Cambria, luftuan me infertilitetin për vite përpara se të prisnin fëmijë. Ata, janë tashmë prindër të binjakëve 3-vjeçarë, Vera dhe Ayva dhe Diseal dhe Luka 11-muajsh.
Cambria, sa ishte shtatzënë, kishte shumë komplikime sidomos me lindjen e djemve të saj binjakë, Diseal dhe Luka.
Pas komplikimeve që pati gjatë lindjes traumatike të binjakëve të saj, në shtator të vitit të kaluar, Cambrias iu desh t”i nënshtrohet histerektomisë. Pas ndërhyrjes kirurgjikale që rezultoi me largimin e mitrës, çiftit nga Utah, iu veniten shpresat për një shtatzëni të pestë, që aq shumë e dëshironin.
Por, për gjyshen Nancy, asgjë nuk kishte mbaruar.
“Papritmas pata një ndjenjë disa muaj më pas se duhet të ofroja ta bëja”, tha Nancy, e cila është e martuar me babain e Jeff-it, 59-vjeçarin, Jason.
“Kur i thashë djalit tim Jeff, ai u përlot dhe u trondit – nuk i kisha thënë as burrit tim Jason. Por ai ishte me të vërtetë mbështetës”, shton më tej Nancy.
Sakrifica e nënës së tij, solli kaq shumë lumturi në jetën e Jeff dhe Cambrias.
“U ndjeva mirënjohës që kisha një nënë kaq vetëmohuese dhe të dashur që ishte e gatshme të bënte atë lloj sakrifice për familjen time”, tha Jeff.
Jeff, tha se ishte i shqetësuar se do të shkonte i gjithë procesi deri te shtatzënia: “Duke pasur mbi katër vjet trajtime të infertilitetit, e dija se sa i ndërlikuar mund të ishte procesi dhe pata dyshime se ishte e mundur që ajo të mbante një fëmijë për ne, por isha shumë i prekur që ajo madje do të ofronte të bëhej nënë surrogate për ne”.
Për befasinë e tyre, Nancy, ishte sipas mjekëve në gjendje të mirë shëndetësore për t’u bërë nënë zëvendësuese. Ajo filloi trajtimin hormonal në janar të këtij viti. Brenda disa javësh, ajo mbeti shtatzënë me embrionet e fekonduara nga Jeff dhe Cambria.
“Ajo po sakrifikon shumë për ne, dhe familja jonë dhe ne thjesht ndihemi kaq mirënjohës”, tha Cambria për vjehrrën e saj.
Familja nga Utah, në maj mësuan se po prisnin një vajzë dhe Nancy pritet të lindë më 5 nëntor.
Për Jeff, shembulli i dashurisë dhe përkushtimit që dhanë prindërit e tij, nuk mund të shlyhet me asgjë.
“Nuk ka asnjë shlyerje për diçka të tillë”, shtoi ai për nënën e tij.
“Gjithçka që mund të bëjë është të ndjekë shembullin që prindërit e mi kanë dhënë dhe të përpiqem t’i jap të njëjtin nivel dashurie dhe përkushtimi për familjen time dhe për të tjerët”.