Marrëveshja e Serbisë me Rusinë, gisht në sytë e Perëndimit

Marrëveshja e Serbisë me Rusinë, gisht në sytë e Perëndimit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan shpjegim nga Serbia për atë që ministri i Jashtëm i këtij vendi ka nënshkruar me homologun e tij rus në Nju Jork, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Duke folur për gazetarët në Beograd, Hill ka thënë se, javën e kaluar, në Nju Jork janë mbajtur bisedime të shkëlqyeshme midis delegacioneve të SHBA-së dhe Serbisë, por se në fund të tyre është mësuar për nënshkrimin e një protokolli.

“Në këtë kohë, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë. Shumë pak edhe e bëjnë këtë. Vetëm ata rekrutë të mjerë që po mobilizohen për të shkuar në luftë [në Ukrainë]”, ka thënë ambasadori amerikan.

Dokumenti për bashkëpunim që kanë nënshkruar Serbia dhe Rusia, ka shkaktuar reagime të furishme brenda Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Disa përfaqësues evropianë kanë thënë se duhet të mendojnë edhe për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Marrëveshja e nënshkruar nga udhëheqësit e diplomacisë së Serbisë dhe të Rusisë, në rrethana të rregullta gjeopolitike, është një dokument i zakonshëm në diplomaci, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq.

Por, shton ai, pushtimi i Ukrainës nga Rusia hedh një dritë tjetër mbi këtë veprim, nga i cili, siç thotë, përfiton kryesisht Federata Ruse, e cila aktualisht është e izoluar nga marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Çdo letër, qoftë edhe e kësaj natyre, bie në sy, shkakton dyshime dhe paraqet një hap të rëndësishëm për Rusinë… se ky izolim është thyer dhe se ka vende që po e kontaktojnë atë dhe po nënshkruajnë marrëveshje me të”, thotë Gjukiq.

Sipas tij, edhe Serbia ka bërë një lëvizje të pamenduar.

“Me këtë lëvizje, Qeveria serbe u ka futur gishtin në sy si Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe Bashkimit Evropian, ku i ka interesat e saj më të mëdha – ekonomike, politike, investuese e të gjitha”, thotë Gjukiq.

Serbia, edhe pse vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, pavarësisht kërkesave të Perëndimit.

Serbia është e varur nga gazi rus dhe hulumtimet tregojnë se shumica e qytetarëve serbë e perceptojnë Rusinë si vend mik dhe kundërshtojnë masat kundër saj.

Zyrtarët në Serbi, megjithatë, kanë përsëritur në disa raste se respektojnë integritetin territorial të Ukrainës dhe Serbia ka votuar për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që e dënojnë pushtimin e saj.

Por, kjo nuk e ka penguar ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë që të nënshkruajë marrëveshje me Rusinë dhe të konfirmojë vazhdimin e bashkëpunimit me atë vend.

Më 23 shtator, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ai i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, kanë nënshkruar Planin e Konsultimeve të Ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja vendeve për dy vjetët e ardhshëm.

Sellakoviq është ministër me mandat teknik, pasi në Serbi pritet të formohet Qeveria e re, pas zgjedhjeve që janë mbajtur në prill të këtij viti.

Sellakoviq është zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq, e cila ka fituar më së shumti vota në këto zgjedhje.

Kryeministrja e deritashme e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka fituar mandatin për të formuar edhe Qeverinë e re, por nuk dihet nëse Sellakoviq do të mbajë ose jo ndonjë post në Qeverinë e re.

Plani i Konsultimeve i Ministrive të Jashtme për periudhën 2023-2024 është nënshkruar në Nju Jork, në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka postuar në Twitter një video të nënshkrimit dhe shkëmbimit të dokumentit të nënshkruar.

Nga videoja mund të konstatohet se Plani i Konsultimeve është nënshkruar në ambientet e misionit rus në Kombet e Bashkuara.

Ky është dokumenti i parë diplomatik që Serbia ka nënshkruar me Rusinë që nga 24 shkurti, kur shteti rus ka nisur pushtimin e fqinjit të tij.

Përmbajtja e dokumentit nuk është bërë publike.

Bashkimi Evropian ka kritikuar marrëveshjen diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se blloku është “seriozisht i shqetësuar” për afrimin e Serbisë me Rusinë.

“Ne po jetojmë në kohën e një agresioni të paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër shtetit sovran të Ukrainës. Marrëveshja për Konsultime të rregullta midis Ministrive të Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë agresore, në këtë moment, jep një sinjal veçanërisht të fortë të synimit [të Serbisë] për të forcuar bashkëpunimin me Rusinë”, ka thënë Stano.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ka thënë se në rrethanat aktuale, BE-ja “pret që Serbia të qëndrojë krah saj, në mbrojtje të vlerave evropiane dhe ligjit ndërkombëtar”.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim me Rusinë, Serbia ka dërguar një mesazh krejtësisht të kundërt, edhe pse ka thënë se nuk do t’i njohë rezultatet e [të ashtuquajturave] referendume që Rusia po zhvillon në territorin e pushtuar të Ukrainës”, ka thënë Giaufret.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vlladimir Billçik, ka thënë se nënshkrimi i “planit për konsultime” midis Serbisë dhe Rusisë është një “goditje” mbi procesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

“Të jemi të qartë: Rusia po mobilizohet për të sulmuar Ukrainën, një vend kandidat për në BE. Rusia po sulmon zgjerimin e BE-së”, ka thënë Billçik.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, e ka cilësuar nënshkrimin e marrëveshjes si “skandal të rëndë”. Sipas saj, Serbia ka nënshkruar marrëveshje me agresor “në mes të një lufte të furishme”.

“…ndoshta është vetëm një sinjal për ne që t’i ngrijmë negociatat e pranimit evropian [të Serbisë], sepse hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, ka thënë ajo.

Partia opozitare serbe për Liri dhe Drejtësi (SSP) ka thënë se “është e pabesueshme që në momentin kur e gjithë bota po shikon me frikë lëvizjet e Moskës, që kërcënojnë paqen botërore, dhe po shikon vuajtjet e përditshme të popullit ukrainas”, ministri Sellakoviq nënshkruan marrëveshje me një shtet që “shkel drejtpërdrejt Kartën e OKB-së dhe synon të aneksojë territorin e një vendi tjetër, të njohur ndërkombëtarisht”.

“Kur e gjithë bota dënon sjelljen e Moskës, ministri ynë teknik i fut gishtin në sy të gjithë botës së qytetëruar dhe nënshkruan një marrëveshje që nuk duhej të nënshkruhej”, kanë thënë nga SSP-ja.

Zyrtari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV), Aleksandar Marton, i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që të anulojë, siç ka thënë, planin skandaloz dhe të dëmshëm.

“Në një luftë në të cilën të gjitha shtetet paqësore dhe demokratike janë në njërën anë – në anën e Ukrainës si viktimë e agresionit – Serbia ka zgjedhur të jetë në anën e gabuar të historisë, së bashku me regjimet kriminale në Kremlin, Damask, Phenjan, Teheran dhe Minsk”, ka thënë Marton.

Deputeti i listës opozitare “Na duhet së bashku”, Gjorgje Miketiq, ka kërkuar që Sellakoviq të shpjegojë në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme të Serbisë se çfarë saktësisht ka nënshkruar në Nju Jork.

“Në emër të kujt e ka nënshkruar dhe me urdhër të kujt? A ka qenë akt i tij personal, është nënshkruar me urdhër të presidentit të Serbisë apo presidentit të Rusisë? Apo, Qeveria me mandat teknik ka marrë vendim që Serbia të braktisë rrugën e anëtarësimit në BE, për të cilën gjë nuk ka të drejtë”, ka thënë Miketiq.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se çfarë përfshin plani dhe çfarë mesazhi i dërgon Bashkimit Evropian, ministri Sellakoviq ka thënë se “ai dokument po sulmohet nga ata që as nuk e kanë parë”.

Ai ka thënë se Plani i Konsultimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë “është nënshkruar që nga viti 1996, çdo dy vjet” dhe ka theksuar se bëhet fjalë për “çështje teknike, siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në daljet e tij publike shpesh flet për politikën e balancimit. Edhe pse Kushtetuta e Serbisë thotë se ky vend bazohet në parimet dhe vlerat evropiane, zyrtarët në Serbi mbajnë marrëdhënie të ngushta edhe me Rusinë.

Vuçiq është takuar më 24 shtator në Nju Jork me shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov. Ndonëse detajet e atij takimi nuk janë nxjerrë në ueb-faqen e Presidencës së Serbisë, ato mund të gjenden në atë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Sipas saj, Lavrov dhe Vuçiq kanë shkëmbyer mendime për situatën në Ballkan dhe për çështjet aktuale ndërkombëtare. Ata kanë theksuar vendosmërinë e tyre të ndërsjellë për të vazhduar “zhvillimin dinamik të marrëdhënieve ruso-serbe, thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe dialogun intensiv në nivel të lartë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë ruse.

Vetë Vuçiq, atë ditë, ka postuar në llogarinë e tij në Instagram një fotografi me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq. Ai ka thënë se është ulur në një restorant amerikan dhe se ka porositur një supë ruse.

Nënshkrimin e dokumentit të fundit nga krerët e diplomacisë së Serbisë dhe Rusisë, Sreqko Gjukiq e vlerëson si një tjetër dëshmi të iracionalitetit të politikës së jashtme të Serbisë.

“Përmes këtij iracionaliteti, ajo dëshiron të tregojë pavarësinë e saj dhe në fund do të ketë pasoja negative”, paralajmëron Gjukiq.

Megjithatë, ai nuk mendon se ky hap mund të ketë pasoja në rrugën evropiane të Serbisë.

Related Articles