Gazeta propagandistike serbe e afërt me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, “Novosti”, duke u thirrur në burime diplomatike pretendon se Fondacioni Gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” dhe Institutit Evropian për Paqe janë duke hartuar statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas Novostit, për këtë qëllim është organizuar një takim të martën në Beograd në një restauruan të quajtur “Aeroklub”, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të OJQ-ve serbe dhe shqiptare nga Kosova dhe mision ndërkombëtare që operojnë në Kosovë, si dhe diplomatët gjermanë.
“Atyre u prezantua drafti i statutit të ardhshëm të Asociacionit, për të cilin mund të bënin komente dhe sugjerime”, raporton gazeta serbe
“Dokumenti në fjalë, nuk ka për qëllim publikimin, por për t’u bërë pjesë e procesit të negociatave pas kundërshtimeve që janë shprehur lidhur me Asociacionin”, shton më tej ajo
Kjo gazetë nuk ka dhënë informacione se kush i ka autorizuar këto organizata për hartim të statutit, por sipas saj, më pas ai do t’i dorëzohet emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në bazë të projektstatutit të paraqitur, raporton më tej Novosti, OJQ-të nga Serbia kishin dilemë nëse Asociacioni duhet të jetë person juridik apo organ shtetëror.
“Ata shprehën frikën e tyre se serbët do të kishin edhe më pak të drejta në bazë të këtij drafti sesa ato që aktualisht u jepen nga Kushtetuta e Kosovës. Atyre u ka shqetësuar edhe fakti se teksti thekson se gjithçka duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Pjesëmarrësit deklaruan gjithashtu se Berlini zyrtar është i hapur për sugjerime”.
Temën e Asociacionit muajt e fundit e ka përmendur edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi Christopher Hill.
Sipas diplomatit veteran amerikan, për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, “natyrisht që do të ketë një lloj marrëveshje” dhe për një gjë të tillë janë të informuar të dyja palët.
Hill, duke marrë për bazë verdiktin e Gjykatë Kushtetuese të Kosovës për çështjen e Asociacionit, kishte theksuar se në Evropë ka shumë modele të ngjashme me Asociacionin, të cilat mund të përdoren si opsione.
“Është e përshtatshme që evropianët të përfshihen në këtë, sepse ata i njohin shumë mirë këto modele”, pati deklaruar Hill për agjencinë e lajmeve “Beta” duke nënvizuar faktin se SHBA-të e mbështesin plotësisht përpjekjet e Bashkimit Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun.
Themelimi i Asociacionit është paraparë me nënshkrimin e marrëveshjes në Bruksel para 10 viteve.
Megjithatë më pas shumë prej neneve të saj u hodhën poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
Serbët pretendojnë për krijimin e një asociacioni me kompetenca ekzekutive, ndërkohë Qeveria e Kosova ka përjashtuar mundësinë të krijohet diçka jashtë kornizave që tashmë ka vënë Kushtetuesja.