Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, teksa ka komentuar këshillat e dhëna nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për kursimin e rrugës, ka thënë se shumëkush nga kosovarët investojnë në mjete koti dhe jo të gjithë janë të varfër.
Kollçaku këto deklarata i ka bërë në ‘Facebook’, pas pritjeve negative që iu bënë këshillës së Rizvanollit, që qytetarët të izolojnë shtëpitë e tyre në periudhën e dimrit.
“Këshillat kur jepen, nuk do të thotë që domosdo adresohen vetëm për kohën e tashme, por shërbejnë si orientim edhe për të ardhmen. Se të gjithë janë të varfër në Kosovë, nuk është e vërtetë. Se shumëkush shpenzon mjete koti, e që ka mundësi të investohet shumë më mençur, nuk do mend”, ka deklaruar ajo.
Tutje, ajo ka thurur lavdata për ministren Rizvanolli, duke e quajtur “model i një gruaje të shkolluar”.
Postimi i plotë:
Këshillat kur jepen, nuk do të thotë që domosdo adresohen vetëm për kohën e tashme, por shërbejnë si orientim edhe për të ardhmen.
Se të gjithë janë të varfër në Kosovë, nuk është e vërtetë. Se shumëkush shpenzon mjete koti, e që ka mundësi të investohet shumë më mençur, nuk do mend.
Efiçenca e energjisë, kursimi i energjisë elektrike edhe kur ka me shumicë, izolimi i shtëpive si plan afatshkurt, aty ku ka mundësi. Apo si planifikim në të ardhmen, por që duhet bërë atëherë kur krijohet mundësia.
Krizat nuk do të ndalen kurrë, sepse nuk varen vetëm nga ne, apo vetëm nga një faktor.
Shteti mundet të ndajë edhe mjete për të ndihmuar në këtë drejtim familjet më në nevojë, sidomos në plan më afatgjatë.
Shumë këshilla më janë dhënë që në fëmijëri, por që kanë zënë vend si të arsyeshme vite më vonë.
Ministre, Artane Rizvanolli, vajzë e profesorit tim të nderuar, respekt për ty.
Je model i një gruaje të shkolluar profesioniste, por mbi të gjitha modeste.