Skuadra e futbollit të grave të West Bromit do t’i veshin shorcet me ngjyrë të kaltër nga tani e tutje, pasi shorcet e bardha kanë krijuar shqetësim për to në periudhën e ciklit menstrual, shkruan The Guardian.
Shorcet e bardha për futbollistet është një çështje që është vënë në pah vazhdimisht. Edhe Kombëtarja e Anglisë pati shqetësimin e njëjtë gjatë Kampionatit Evropian.
Pas konsultimit me futbollistet ,WBA-ja ka konfirmuar ndryshimin e ngjyrës së shorceve dhe është zotuar se do ta marrë në konsideratë sa herë që dizajnon fanellat për sezonet e ardhshme.
“Është mirë që klubi po mbështet ndryshimin në shorcet tona. Për ne është shumë e rëndësishme ta përfaqësojmë klubin në mënyrë profesionale. Ky ndryshim do të na ndihmojë të përqendrohemi në performancat tona pa shqetësime apo ankth të shtuar”, ka thënë kapitenia e ekipit, Hannah George.