Ekspertë amerikanë thonë se përshkallëzimi i agresionit rus në Ukrainë pasqyron dështimin e presidentit Vladimir Putin por edhe strategjisë së tij që të frikësojë Kievin dhe perëndimin dhe t’i detyrojë të pranojnë kontrollin e tij mbi pjesë të territorit ukrainas.
Këshilltari i lartë në Këshillin e Atlantikut, Ian Brzezinski tha se nga pikëpamja e tij Rusia mund të përpiqet të nxisë probleme në disa zona përreth saj ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të përpiqet të nxisë trazira dhe kriza edhe në Ballkan.
“Ka tensione në Ballkan midis grupeve të ndryshme etnike në vende të caktuara, vende të ndryshme kanë tensione me njëra-tjetrën dhe Kosova e Serbia janë një rast klasik. Pastaj ka një paqëndrueshmëri të mundshme ne Bosnjë përbrenda dhe rreth marrëdhënieve më Serbinë. Këto janë raste të dukshme ku ndërhyrja ruse mund të jetë interesante për Putinin si një mënyrë për të nxitur një lloj krize që do të shpërqendronte perëndimin”, tha Brzezinski.
Ambasadorja Jennifer Brush, e cila një kohë ka shërbyer në Ballkan, mendon se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë mund të shtrihet në Bosnje e Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
“Ato popullata serbe janë nxitur aktivisht nga rusët. Janë zonat e vetme ku mund të keni një poster të Putinit dhe ku Putini ka popullaritet, madje është ndoshta më popullor në Banja Llukë sesa në Moskë”, tha Brush.
Ajo i tha programit ne gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se koncepti rus për botën ruse kishte nxitur ringjalljen e idesë për botën serbe, por dështimi i dukshëm i Rusisë në Ukrainë do të dështojë edhe përpjekjet serbe për një botë të tillë.
Të dy ekspertët e cilësuan të pavend nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Rusisë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Marrëveshja që u nënshkrua në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nxiti reagimet amerikane dhe evropiane.
Brzezinski tha se është interesante të shohësh qeverinë serbe dhe zyrtarët e lartë serbë të jenë kritikë ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe ndaj referendumeve të Rusisë. Megjithatë nga Serbia dërgohen edhe sinjale të përziera. “Dhe nënshkrimi I kësaj marrëveshjeje është sigurisht i padobishëm dhe jo në kohën e duhur”, tha ai.
Brush tha se nënshkrimi i marrëveshjes Serbi Rusi është një sinjal fatkeq.
“Rusia po dështon në fushën e betejës. Ekonomia e saj po rëndohet. Për Rusinë, përveç Serbisë, nuk ka asnjë mbështetje tjetër nga asnjë anë tjetër e botës. Edhe Kina dhe India janë larguar nga mbështetja për Rusinë. Kështu që mbetet vetëm Serbia, e cila është me peshë në Ballkan, por ndoshta jo në skenën botërore, që del e thotë se ne jemi me ju Rusi, dhe ne do ta nënshkruajmë këtë marrëveshje”, tha Brush.
Më herët gjatë javës një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se “përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”.
Deputetë të Parlamentit Evropian thanë se “BE-ja nuk mund të vazhdojë negociatat e anëtarësimit të Serbisë nëse ajo nuk vihet në linjë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, duke paralajmëruar se ky qëndrim do të jetë pjesë e raportit të radhës mbi zgjerimin e bllokut.
Brzezinski tha se është për të ardhur keq për popullin serb që qeveria serbe nuk po bën një përpjekje më aktive për të integruar ekonominë e saj në ekonominë e gjerë evropiane dhe për t’u integruar në bllok. Anëtarësimi në BE është sikurse ai në NATO nxitet nga dëshira dhe veprimet e vendit që kërkon anëtarësimin e jo nga direktiva e Brukselit.
“…Një nga pohimet e rreme të bëra nga Putini është se zgjerimi i BE-së dhe zgjerimi i NATO-s kanë qenë një imponim nga Brukseli nga Uashingtoni nga Berlini ndaj demokracive të Evropës Qendrore dhe Lindore. Është krejt e kundërta. Procesi ka qenë gjithmonë i nxitur nga dëshirat e popujve dhe qeverive dhe në fund të fundit veprimet e tyre për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në këto organizata përkatëse”, tha Berzezinski.
Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, ndërsa ka shpallur neutralitetin e saj ushtarak.
“Mendoj se është për të ardhur keq që Serbia duhet të zgjedhë neutralitetin në një rast kaq të qartë të agresionit brutal dhe të pajustifikuar”, tha Brzezinski.
Brush tha ndërkaq se shqetësime nga disa analistë politikë amerikanë por edhe analistë politikë brenda Serbisë se ka pasur një lloj qasjeje të butë të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë dhe nuk i ka kërkuar shumë gjëra asaj meqë dëshiron ta integrojë.
“Pra, është në interesin e BE-së që Serbia të jetë një aktor konstruktiv racional në Evropë, por për shembull, ata nuk i kanë kërkuar Serbisë të japë llogari për vitet ’90-ta”, tha Brush duke nënvizuar mizoritë e kryera në Bosnjë dhe në Kosovë.
Kremlini mbështet Beogradin në kundërshtimin e tij të vazhdueshëm ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.
Brush tha se veprimi më i mirë për Serbinë do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës në vend të zvarritjes së një procesi të bisedimeve që ka siguruar disa marrëveshje por shumë pak prej tyre janë zbatuar.
“Pra, është 100 për qind në interesin më të mirë të Serbisë që ta kapërcejë këtë pengesë. Nuk do t’i futë ata automatikisht në BE, por do të lehtësojë shumë tensionet në rajon dhe do të ndihmojë që i gjithë rajoni të ecë përpara”, tha Brush.