Pas avancimit të statusit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si anëtare e asociuar e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim Hasnie Ilazi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Gjatë takimit u diskutua për ngritjen e cilësisë në arsim përmes avancimit profesional e shkëmbimit të përvojave të mira nga shtetet e Bashkimit Evropian, si një domosdoshmëri e sektorit akademik e universitar.
Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në mënyrë që të tejkalohen bashkërisht sfidat, dhe që arritjet e sukseset të jenë të përbashkëta.
Kosova dje ka pranuar statusin e kandidatit në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nga e cila ishte përjashtuar katër vjet më parë për shkak të ndërhyrjeve politike në Agjencinë Kosovare të Akreditimit.
Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim me vendimin e sotëm është vetëm edhe një hap larg për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA.
Ndryshe, Kosova ishte përjashtuar nga ENQA pas shkarkimit të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në vitin 2017.