Jasharaj për videon e VV-së: Krenari të jem krah çlirimtarëve

Jasharaj për videon e VV-së: Krenari të jem krah çlirimtarëve

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nuk e sheh ofenduese videon të cilën e publikoi Lëvizja Vetëvendosje një ditë më parë ku renditi ish-partitë që kanë qeverisur dhe sindikatat, përfshirë Jasharajn, si shkatërrues të shtetit.

Jasharaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se e ka për nder të jetë në një video bashkë me ish-luftëtarë të Kosovës. Tha se kërcënime e shantazhe i janë bërë nga njerëz të afërt me Qeverinë atij dhe sindikatës, por se nuk janë prekur asnjëherë.

Ai theksoi se video të tilla janë lojë e partisë në pushtet.

“S’kam çfarë të prisja sepse VV jo vetëm tash por oponentët e saj njerëzit shumë të afërt me qeverinë kanë bërë fyerje, ofendime e shantazhe e kërcënime dhe ua lë në fytyrë atyre. Një pjesë e tyre do jenë personazhe në gjykatë, për njërin prej tyre vetëm ka filluar lënda për fyerjen që ka bërë. Duke pa që në video janë emra që kanë qenë në ballë të luftës, unë nuk ndihem i ofenduar pavarësisht konotacionit që paraqesin në video. Me çlirimtarët e Kosovës që janë në Hagë, me njerëz eminentë dhe kanë marrë pjesë në aktet finale të shtetit tonë, nuk ndjehem i ofenduar edhe pse VV-ja e ka bërë me qëllime më negative, nuk ndihem i fyer. Me Rexhep Selimin, te jesh me komandantët e luftës, për mua është krenari. Cili është qëllimi i tyre, ua lë në fytyrën e tyre. Videot e tilla janë asgjë tjetër vetëm një lojë e dobët e tyre”, tha ai.

Madje, Jasharaj falënderoi LVV-në për videon, si kujtim që do t’i mbetet. Përsëriti se nuk u lëndua e as ‘u fye nga ajo.

“Faleminderit pre tyre që kjo video do mbetet përjetë dhe unë do të jem krenar që paskam arritë të jem nga ata që janë pranë Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Ramush Haradinajt, Thaçit dhe luftëtarëve të denjë të lirisë. Jam krenar që jam në një video edhe me Isa Mustafën, edhe Fatmir Limajn, madje edhe me Behgjet Pacollin nuk kam dert që jam me të sepse është njeri i njohur që i ka dhënë shumë ekonomisë. Nëse janë munduar të më lëndojnë kështu, nuk më kanë lënduar”.

Related Articles