Legjenda e futbollit kroat, Zvonimir Boban, sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.
Ai vjen në vendin tonë pesë ditë pas presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili në Prishtinë vendosi lule dhe bëri homazhe te shtatorja e legjendës Fadil Vokrri.
Boban gëzonte një reputacion të madh si ish-mesfushor i skuadrës italiane AC Milan, por ai u shndërrua në legjendë vetëm në përballjen ndërmjet Dinamo Zagrebit nga Kroacia dhe Yllit të Kuq nga Serbia në maj të vitit 1990.
Pas vdekjes së liderit të Jugosllavisë Josip Broz Tito në maj të vitit 1980, aspiratat për dominim brenda ish-federatës kishin nisur të shfaqeshin nga Serbia dhe kjo ndeshje ndërmjet skuadrave të dy prej shteteve më të fuqishme përbrenda Jugosllavisë po konsiderohej më shumë si ndeshje politike sesa sportive.
Për shkak të përshkallëzimit të dhunës, ndeshja u ndërprit vetëm pas 10 minutash lojë, shkruan Klan Kosova.
I ndodhur në një situatë të tillë në një kohë kur nacionalizmi kishte arritur kulmin në Ballkan, Boban kishte vënë re një polic serb që po përpiqej të parandalonte tifozët kroatë të përballeshin me ata serbë. I kapluar nga krenaria dhe zemërimi, ai vrapoi drejt policit serb, u hodh në ajër dhe e goditi me gju në fytyrë atë.
Ky gjest i tij u konsiderua si ‘shkelmi që filloi luftën ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë’, edhe pse pas luftës qëndronin shumë faktorë të tjerë.
Lufta serbo-kroate nisi një vit pas kësaj ndeshje dhe përfundoi në nëntor të vitit 1995 me pavarësimin e Kroacisë nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë.