Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës janë mobilizuar sot pasdite për t’i dhënë goditje krimit të fajdes dhe bixhozit të paligjshëm në regjionin e Prizrenit dhe Prishtinës.
Në mesin e 20 personave që kanë qenë objekt hetimi dhe pritet të arrestohen, Sinjali mëson se është edhe një zyrtar policor.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për zyrtarin policor Luan Bytyqi nga Drejtoria Rajonale e Prizrenit, i cili pritet të prangoset.
Në mbështetje të këtij aksioni, Gazeta Sinjali mëson se janë mobilizuar edhe dhjetëra pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (NJSO), Njësia Kundër Krimeve Kibernetike, Njësia Kundër Deminimit, si dhe Njësia K-9.
Sinjali mëson se me urdhër të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prizren, do të realizohen bastisje në disa lokacione në Prizren dhe rrethinë, si dhe në disa lokacione në Prishtinë.
Po ashtu, me rastin e bastisjes në këto lokacione do të sekuestrohen pajisje elektronike, telefona të mençur, vetura e sende tjera të luajtshme, të cilat do të shërbejnë si prova gjatë fazes së mëtutjeshme të hetimit.