Vritet një palestinez dhe plagosen gjashtë persona

Vritet një palestinez dhe plagosen gjashtë persona

Një palestinez është qëlluar për vdekje dhe gjashtë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, në mesin e tyre edhe dy gazetarë, nga forcat izraelite në qytetin Deir al-Hatab, në lindje të Nablusit në Bregun Perëndimor.

“Alaa Zaghal, 21 vjeç, vdiq nga një plagë me plumb në kokë nga ushtria okupuese izraelite”, thuhej në një deklaratë të lëshuar të mërkurën e 5 tetorit nga Ministria palestineze e Shëndetësisë.

“Të paktën gjashtë palestinezë të tjerë, përfshirë dy gazetarë, u plagosën nga zjarri izraelit”, u tha tutje në deklaratë, shkruan Al Jazeera.

Ushtria izraelite konfirmoi se po kryente një operacion ushtarak në fshatin Deir al-Hatab.

Banorët vendas thanë se ushtria kishte rrethuar një shtëpi brenda fshatit, duke vrarë Zaghalin dhe duke qëlluar mbi një ekip të medias lokale që po mbulonte incidentin.

Dhuna ishte e fundit që goditi veriun e Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, një zonë që ka pasur sulme pothuajse ditore, shumë prej tyre vdekjeprurëse, nga trupat izraelite që nga muaji mars.

Nablusi është bërë gjithnjë e më shumë një objektiv i operacioneve izraelite pas shfaqjes së një fraksioni të ri të armatosur, një koalicion i lirë luftëtarësh palestinezë të quajtur “Gropa e Luanëve”.

Related Articles