Me akuza dhe përplasje të ashpra është zhvilluar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, mes deputetit të PDK-së, Ardian Kastratit dhe atij të LVV-së, Dimal Basha.
Në interpelancën ndaj ministrit Hekuran Murati, deputeti i PDK-së adresoi akuza të rënda ndaj Qeverisë Kurti për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.
Por, në një moment të fjalimit të tij ndërhyri dikush nga deputetët e LVV-së, të cilit deputeti Kastrati i kërkonte mos të qeshte por të shikonte “korrupsionin nën qeverinë e tyre”.
“Korrupsioni, çka është Martin Berishaj a më tregon t’i mua, pasi fole për korrupsion. Çka po qesh, çka është 150 milionëshi i KEK-ut, çka është kjo që ia ka dhënë 100 mijë euro organizatës që ka themelu vet, pse po kesh ashtu”, tha ai.
Për t’iu kundërpërgjigjur atij, deputeti i pozitës, Dimal Basha, e akuzoi se e ka stratin si plagjiator.
“Sapo e patë deputeti Kastrati ka dal me ia qa hallin mësuesve. Fatkeqësia është se vet tipi është plagjiator. Paramendo dikush me fol për hajni, por në akademi s’mundem me i thënë hajn, por është një fjalë pak më e sofistikuar i thonë plagjiator”.
“Do të thotë kur vjen në shkronja, paramendo çka bënë ai me ia lënë kuletën atij. Në shkronja vjedh tipi dhe i shet si të vetat”, tha ai.