Ballkani shkruajti historinë u bë klubi parë i Kosovës, që merr një fitore në fazën e grupeve të kompeticioneve europiane, vetëm një muaj pasi u bë i pari ekip kosovar që arrin të shkojë deri në të tilla nivele.
Suksesi 3-4 në transfertën ndaj turqve të Sivasspor solli festë në Suharekë dhe jo vetëm, teksa nuk kaloi pa vëmendje as në mediat ndërkombëtare, me sajtin e mirënjohur “Goal.com”, që i dedikoi një artikull të gjatë arritjes së skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja.
Artikulli i plotë i “Goal.com”
Ballkani shkruan historinë, regjistron fitoren e parë të një klubi kosovar në kompeticionet europiane
“Një ëndërr e ndjekur prej kohësh”, do të deklaronte kapiteni Armend Thaqi për “Goal” në shtator, kur Ballkani shkroi historinë, duke u bërë i pari klub i Kosovës, që kualifikohet në fazën e grupeve të një kompeticioni europian.
Një ëndërr e quajtur Europë, të cilën Ballkani e realizoi dhe mbrëmjen e të enjtes shkroi historinë sërish, duke u bërë formacioni i parë kosovar, që fiton një ndeshje në një kompeticion europian, falë suksesit 3-4 në transfertën ndaj turqve të Sivasspor.
Një objektiv që shkon përtej katërkëndëshit të blertë dhe topit që rrotullohet në të, dhe që përfaqëson një tjetër objektiv të vogël “të madh”, të arritur nga një popull që dëshiron të njihet dhe të prezantojë flamurin e tij në kontinentin e vjetër edhe nëpërmjet futbollit.
Pasi siguroi ngjitjen në Superligë 5 vite më parë, skuadra nga Suhareka, një qytet me 10 mijë banorë dhe 57 kilometra larg Prishtinës, ia doli të fitojë titullin e parë kampion në histori në sezonin e kaluar dhe më pas erdhi një tjetër arritje e madhe, faza e grupeve në Conference League.
“Pjesëmarrja në grupet e një kompeticioni europian ka qenë një ëndërr të cilën e kemi ndjekur gjithmonë, jo vetëm unë, por i gjithë futbolli kosovar, ndaj arritja e Ballkanit ishte një çmim për një vend që ka formuar shumë futbollistë, të cilët sot na përfaqësojnë denjësisht në kampionate si Serie A apo La Liga. Është një nder për ne, që Ballkani dhe “Xhebrailat”, po shkruajnë këtë kapitull të historisë”, pati deklaruar kapiteni i Ballkanit, Thaqi, një muaj më parë në “Goal”.
Ballkani është klub i qytetit të Therandës, që në kohën e luftës me Serbinë, ka vuajtur një nga masakrat më të tmerrshme, me disa agjentë të policisë serbe që më 26 mars të 1999-ës vranë e masakruan plot 48 persona, 14 prej të cilëve minorenë të moshës nën 15 vjeç dhe 46 prej tyre i përkisnin familjes Berisha.
Viktimat u mbyllën në një piceri, ku u hodhën dy granata dore dhe para se të nxirrnin trupat, policët u kujdesën të qëllonin me armë të gjithë ata që kishin ende shenja jete, ndërsa më pas të gjithë u transportuan në Batajnicë, për t’u varrosur në një varrezë masive, e zbuluar vetëm tre vite më vonë.
Sot Ballkani po transformon hap pas hapi në realitet, ëndrrën e shumë tifozëve. Stadiumi i Suharekës mund të mbajë maksimumi 1500 njerëz dhe skuadra i luan ndeshjet në impiantin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
8 shtatori është një datë shumë e rëndësishme për futbollin në Kosovë, pasi shënjon pikërisht debutimin e Ballkanit në një kompeticion europian, pikërisht në Prishtinë, përballë Cluj, sfidë që u mbyll në barazim 1-1.
6 tetori është një tjetër datë e rëndësishme, pasi shënjon fitoren e parë të një formacioni kosovar në Europë, me Ballkanin që mori tre pikët në Kosovë, falë një suksesi spektakolar 3-4 ndaj Sivasspor.
“Pasi u kualifikuam në fazën e grupeve, jemi stërvitur shumë për të eliminuar presionin, ndaj luajmë me qetësi. U kam thënë shokëve se kemi shkruar historinë me këtë objektiv që kemi arritur, por nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi duhet të shohim përpara, që të përfaqësojmë denjësisht klubin dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare”, deklaroi kapiteni Armend Thaqi.