Mënyra e vetme për të parandaluar ndarjet në Ballkan është që i gjithë Ballkani të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, tha presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor në Forumin 2BS në Budvë, në një panel me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Pahor u bëri thirrje liderëve të rajonit që të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të ruajtur paqen në Ballkan, shkruan Anadolu.
“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në muajt apo vitet e ardhshme. Por, është e rëndësishme që këto çështje shumëpalëshe të jenë nën kontroll. Niveli i besimit është i ulët”, tha Pahor.
Presidenti slloven kujtoi se një kohë kishte optimizëm, por ai kishte rënë, duke theksuar se në Bruksel ka më pak vullnet.
“Për shkak të luftës në Ukrainë, paqja dhe stabiliteti në Ballkan është i brishtë. Ne u përpoqëm t’ia shpjegojmë këtë edhe BE-së. Në vitin 2016, gjatë bisedimeve në Sarajevë, ne thamë se zgjerimi nuk është një problem teknik, por një problem gjeopolitik dhe ne duhet të jemi më fleksibël në Bruksel”, tha Pahor në Forumin 2BS.
Pahor renditi se çfarë pret të bëjë Brukseli zyrtar në periudhën e ardhshme për ta afruar Ballkanin Perëndimor me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Këto janë liberalizimi i vizave, dhënia e statusit të vendit kandidat Bosnjë e Hercegovinës. Ky do të ishte një sinjal se BE-ja po bën gjithçka për të sjellë të gjithë Ballkanin Perëndimor në komunitetin evropian”, vuri në dukje Pahor.
Ai beson se nëse vjen deri tek zgjerimi, të gjitha vendet e Ballkanit do t’i bashkohen pak a shumë në të njëjtën periudhë.