Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministres të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari që ta shfuqizojnë vendimin e çmimit tavan për derivatet e karburanteve, pasi sipas tyre, kompanitë me këtë praktikë janë duke shkuar buzë falimentimit.
Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani në një deklaratë për Sinjalin e quajti “skandaloz” vendim e Qeverisë.
“Vendimi i fundit i Qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan të derivateve, është skandaloz pasi që çmimi i vendosur shitës është nën çmimin blerës. Çmimi blerës për Naftë, sot është: 1.75 Euro, dje ishte: 1.68 Euro, ndërsa pardje: 1.66 Euro. Ndërsa çmimi tavan i vendosur nga Qeveria për nafte është: 1.67 Euro”, u shpreh ai.
Sipas Berjanit, kompanitë janë duke operuar me humbje “trashanike, dhe shumë shpejt shumë nga kompanitë do të falimentojmë për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë në vendosjen e çmimit tavan. Ku si kompanitë e mëdha po ashtu ato individuale me kosto më të ulët të operimit janë barazuar”.
E në rast se vazhdon kjo praktikë, Berjani paralajmëroi se me mijëra punëtor do të mbesin pa punë.
Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj ka treguar çmimet e naftës në shtetet e rajonit, kështu duke krahasuar me atë në Kosovë, ku del që në vendin tonë çmimi është më i lartë.
Kurtishaj ka thënë se 22 cent është ndryshim i madh i çmimit për një litër, duke shkruar se kjo situatë bizneset kosovare po i bën të pabarabartë në tregun rajonal.
“Sot çmimi i naftës për 1 litër është 1.48 në Mal të Zi, 1.50 për një litër në Maqedoni të Veriut e në Kosovë 1.70 euro cent për 1 litër! 22 cent është ndryshim i madh i çmimit për 1 litër naftë, ky ndryshim i madh i çmimit bizneset Kosovare i bën jo të barabartë në tregun rajonal”, ka shkruar ai.