Minsitri i Bujqësisë, Faton Peci ka qëndruar sot te bujku Shukri Sallahu nga Zllatari i Ferizajt, me ç’rast në mënyrë simbolike ka ndihmuar atë në grumbullimin e misrit.
Peci, ia ka atribuuar si sukses ministrisë së tij zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me misër këtë vit.
“Mbi 17 mijë hektarë apo 90% më shumë sipërfaqe të mbjella me misër se sa vitin e kaluar!
Te Shukri Sallahu nga fshati Zllatar i komunës së Ferizajt pashë një vullnet të pashoq, një njeri të zellshëm, të thjeshtë e tejet falenderues. Falë mbështetjes së deritanishme dhe rritjes së subvencioneve për misrin e grurin për Programit për Pagesa Direkte 2022, ai ka kultivuar gjithsej 140 hektarë ku nga këto rreth 70 hektarë me misër. Në hambarin e tij prej 56 metra gjatësi, ai ruan rendimentin e marrë nga misri e që arrin shifra të larta të rendimentit. Shukriu, përvec se me bujqësi, ai mbarështon edhe 30 dema për majmëri duke e diversifikuar veprimtarinë e fermës së tij”, ka shkruar Peci.
Sipas tij, përkrahja financiare e ministrisë që ai udhëheq, nuk do të mungojë për sektorët dhe programet mbështetëse.
“Përkrahja financiare e Ministrisë së Bujqësisë ndaj bujqve, nuk do të mungojë për asnjë sektor e asnjë program mbështetës, përderisa kemi të tillë bujq e blegtorë të vyer që e duan tokën, me zellin më të madh e punojnë atë dhe kanë besim të palëkundur tek dora e shtetit”, ka shkruar Peci.