Më 5 nëntor 2022 bëhen dy vjet që nga koha kur Gjykata Speciale i arrestoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
E do të bëhen gati 2 vjet e gjysmë, kur të fillojë edhe zyrtarisht gjykimi në rastin që po quhet rasti ndaj katërshes së madhe të UÇK-së.
Dhomat e Specializuara të Hagës kanë konfirmuar se gjykimi mund të fillojë në tre muajt e parë të vitit 2023.Kjo, sipas tyre, varet varësisht nga koha kur dosja e lëndës kalon te trupi gjykues.
“Ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar afate të caktuara për t’u siguruar që të gjitha palët të përgatiten shpejt për gjykim, deri më tani ai nuk ka caktuar një datë të saktë se kur synon t’ia kalojë dosjen e lëndës trupit gjykues. Vetëm pasi ta bëjë këtë do të dimë saktësisht se kur mund të fillojë gjyqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.
“Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake ka theksuar në një vendim publik se ai ka parashikuar që dosja e lëndës mund të jetë gati për t’iu transmetuar trupit gjykues deri në fund të vitit që do të thotë se gjykimi mund të fillojë gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Nacionale.
Dhomat e Specializuara të Hagës kanë mohuar se procedura gjyqësore ndaj Jakup Krasniqit mund të ndahet, edhe pse kështu u raportua në disa medie vendëse kohë më parë.“Sa i përket pyetjes suaj të dytë, nuk ka indikacione se procedurat në rastin Thaçi et al mund të jenë të ndara”, përfundon përgjigjja e Gjykatës Speciale .
Se gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së mund të fillojë në tre muajt e parë të vitit 2023, kishte thënë edhe kryetarja e Gjykatës Speciale gjatë vizitës në Kosovë.