Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur në takim shefin e misionit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e deritanishëm në arsim dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.
Nagavci u shpreh mirënjohëse për të gjitha investimet që ka bërë ndër vite Luksemburgu në arsim përmes projekteve të mëdha që kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë, veçanërisht në arsimin dhe aftësimin profesional. Në këtë takim u bisedua edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe segmentet e arsimit ku Kosova ka nevojë për mbështetje, e që janë në linjë me politikat qeveritare për arsimin, respektivisht me Planin Strategjik për Arsimit për pesë vitet e ardhshme. Kështu ka njoftuar MAShTI.
Shefi i misionit të Luksemburgut, Eric Dietz, shprehu gatishmërinë e vendit të tij që të vazhdojë mbështetjen e arsimit në Kosovë, duke e zgjeruar këtë bashkëpunim edhe në fushat tjera që mbulon Ministria, pra në shkencë, teknologji e inovacion.
Ministrja Nagavci dhe shefi i misionit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, u pajtuan që bashkëpunimi të konkretizohet me një Marrëveshje të re të Mirëkuptimit mes dy vendeve.