Një nga bashkëkryetarët e Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan, ligjvënësi Ritchie Torres, thotë se komuniteti ndërkombëtar duket t’i dërgojë Iranit një mesazh të qartë, se nuk do të tolerohet për asnjë sulm kibernetik që ndërmerr ndaj një vendi sovran.
Ligjvënësi nga Nju Jorku është nismëtar i një projekt-rezolute dorëzuar pak ditë më parë në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila dënon sulmet kibernetike të Teheranit ndaj Shqipërisë, e bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të këtij vendi.
Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, zoti Torres shton se pret mbështetje dypalëshe për Shqipërinë, që sikurse thotë, është një nga aleatët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara. Ligjvënësi amerikan flet dhe mbi të ardhmen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi. Ai thotë se Uashingtoni nuk duhet të veprojë sikur të jenë një ndërmjetës neutral, në kushtet kur Kosova është një aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Serbia i Rusisë. Ndaj për zotin Torres, sfida reale për përmbylljen e dialogut mes dy vendeve, mbetet afërsia e Beogradit me Moskën.
Zëri i Amerikës: Sa i përket Kosovës, kohët e fundit, për shkak të luftës në Ukrainë, kemi parë një vëmendje të shtuar të Perëndimit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A shihni ndonjë mundësi reale që mund të ndodhë diçka së shpejti në këtë drejtim?
Ritchie Torres: Unë jam pesimist sepse mendoj se është e rëndësishme që të kuptojmë kontekstin. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të veprojnë sikur të jenë një ndërmjetës neutral. Kosova është një aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Serbia është një aleat i Rusisë, dhe kjo është një dinamikë që ne duhet ta pranojmë sikurse është. Duhet të pranojmë se Serbia është një nga vendet e pakta që është besnike ndaj Rusisë, në një kohë kur Rusia ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ka sulmuar shtetin sovran të Ukrainës, dhe kjo për mua është e papranueshme. Ky për mua është një problem. Ndaj unë shoh si një sfidë reale për përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, afërsinë e Serbisë me Rusinë.
Zëri i Amerikës: Ju keni mbështetur nevojën që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s. A mendoni se vendi është gati për këtë hap?
Ritchie Torres: Kosova, për mua është shtet i pavarur dhe është koha që bota ta njohë pavarësinë e Kosovës. Është koha që çdo vend i NATO-s dhe çdo vend i Bashkimit Evropian të njohë pavarësinë e Kosovës dhe Kosova të mirëpritet në familjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ndaj unë jam plotësisht mbështetës i njohjes ndërkombëtare të saj.