Putin-Grossit: Rusia është e hapur për dialog për centralin “Zaporizhzhia”

Putin-Grossit: Rusia është e hapur për dialog për centralin “Zaporizhzhia”

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë shefit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Rafael Grossi se Rusia është e hapur të diskutojë rreth centralit bërthamor të Ukrainës, Zaporizhzhia.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin të martën e 11 tetorit i ka thënë kreut të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), Rafael Grossi se Rusia është e “hapur për dialog” dhe të diskutojë për “të gjitha çështjet” në lidhje me operacionet e centralit bërthamor të Ukrainës, Zaporizhzhia.

Në një takim në Saint Petersburg të transmetuar në televizionin shtetëror rus, Putin i ka thënë Grossit, se situata rreth termocentralit të kontrolluar nga Rusia, është “shqetësuese”, raporton Reuters.

Putin ndër të tjera ka thënë se ka pasur “politizim të tepruar dhe të rrezikshëm” të asaj që kishte të bënte me aktivitetin bërthamor.

Grossi është takuar me Putinin, në kuadër të përpjekjeve të agjencisë që udhëheq, për të parandaluar ndonjë aksident.

“Nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë Grossi, duke shtuar se situata rreth centralit është “e rrezikshme, jostabile dhe sfiduese”, për shkak të sulmeve të shpeshta rreth zonës, kështu duke paralajmëruar një takim në javën e ardhshme me presidentin ukrainas, Volodomyr Zelensky.

Termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, ka qenë një pikë kyçe në fushatën ushtarake gati tetë-mujore të Rusisë në Ukrainë.

I kapur nga Rusia në fillim të marsit, objekti mbetet afër vijës së frontit dhe është vënë vazhdimisht nën bombardime, duke shkaktuar deri tani dëme të vogla, por duke rritur frikën për një fatkeqësi bërthamore.

Si Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëri-tjetrin për bombardimin e uzinës.

Raffael Grossi drejtoi një mision të IAEA në të më 29 gusht, duke shtyrë përpara idenë e krijimit të një zone të sigurisë rreth centralit.

Ndërkaq, reaktori i fundit operativ në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia (ZNPP) është mbyllur pasi një linjë transmetimi që lidh centralin me sistemin energjetik të Ukrainës është restauruar.

Related Articles