Miroslav Lajcak, Përfaqësues Special i BE-së për dialogun, refuzon të deklarohet rreth deklaratës së Komisionerit për Zgjerim se “Serbia po bën hapa para”, ndërsa “Kosova me veprime të njëanshme”.
Lajcak sot në Prishtinë refuzoi të komnetojë konkluzat e Komisionerit Varlehyi, duke thënë se Komisioneri “ka mandatin e vet, unë kam mandatin tim”.
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Olver Varlehyi, dje në Komisionin për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian kërkoi konstruktivitet nga Kosova, ndërsa një gjë të tillë nuk e përmendi kur foli për Serbinë.
Eurodeputeti Lukas Mandl më vonë e pyeti Komisioeri se pse thuhet që Kosova të bëjë lëvizje në dialog e jo Serbia. Varheliy tha se duhet të angazhohen dy palët, por akuzoi Kosovën se ka vepruar njëanshëm.
“Së fundi kemi parë që Serbia po bën lëvizje para në dialog, po bën lëshime, si çështja e letërnjoftimeve gjatë verës, që ishte përmirësim i rëndësishëm në dialog. Kemi parë veprime të njëanshme nga Qeveria e Kosovës para kësaj. Ajo që është e nevojshme, të dyja palët të angazhohen, pa veprime të njëanshme e dialogu të sjellë më në fund rezultat”, ka thënë Varhelyi të mërkurën në Parlamentin Evropian.
Lajcak sot në Prishtinë tha se me Kryeministrin Albin Kurti ka folur për targat dhe për licencën e Elektroseverit, e cila druhet se mund të tërhiqet.