Presidenti rus, Vladimir Putin i propozoi homologut të tij turk Recep Tayyip Erdogan se Moska mund të eksportojë më shumë gaz përmes Turqisë dhe ta kthejë në një ‘hapësirë’ të re të furnizimit, ofertë kjo për të ruajtur fuqinë energjetike të Rusisë.
Gjatë takimit në Kazakistan, Putin tha se Turqia i ofroi rrugën më të përshtatshme për dërgimin e gazit në Bashkimin Evropian dhe kjo platformë e propozuar mund të lejojë që çmimet të caktohen pa përfshirjen e politikës.
Rusia po kërkon ridrejtimin e furnizimit nga tubat e gazsjellësit Nord Stream nga Deti Baltik, që u dëmtuan nga shpërthimet në muajin e kaluar dhe që janë në hetim ende. Rusia po fajëson Perëndimin pa ofruar prova dhe refuzoi supozimet që ajo ka sabotuar vetë gazsjellësit.
Kurse, Putin i tha Erdoganit se kjo hapësirë do të ishte ‘një platformë jo vetëm për furnizim, por edhe për caktimin e çmimit, sepse është një çështje shumë e rëndësishme’, raporton Reuters.
“Sot, këto çmime janë shumë të larta dhe mundemi lehtë t’i rregullojmë ato në nivel normal të tregut, pa ndonjë ndikim politik”, tha Putin.
Edhe pse nuk kishte deklarata direkte nga takimi i tyre, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë për agjencinë ruse të lajmeve RIA se të dy liderët kanë urdhëruar studim të shpejtë dhe të detajuar të kësaj ideje.
Rusia ka furnizuar rreth 40% të gazit evropian para fillimit të agresionit të saj në Ukrainë, por ka zvogëluar dukshëm shtypjen e furnizimit para shpërthimeve, duke u arsyetuar në probleme teknike si rezultat i sanksioneve perëndimore.
Qeveritë evropiane refuzuan këtë shpjegim dhe akuzuan Moskën që po përdorë energjinë si armë gjeopolitike